Céline Dion i është rikthyer skenës muzikore pas një mungese të gjatë, duke dhuruar një mbrëmje emocionuese për publikun në Paris. Artistja kanadeze performoi të shtunën, më 12 shtator, duke shënuar koncertin e saj të parë të madh pas afro gjashtë vitesh larg aktivitetit të rregullt muzikor për shkak të problemeve shëndetësore.

Dion e nisi mbrëmjen në “Plenitude Arena” me këngën “On ne change pas”. Dalja e saj para publikut u prit me ovacione, ndërsa rreth 30 mijë spektatorët e pranishëm nisën të thërrisnin në kor emrin e këngëtares.

Performanca në kryeqytetin francez është vetëm fillimi i një serie koncertesh që pritet të shtrihet për disa muaj. Në total janë planifikuar 26 shfaqje në “Plenitude Arena”, nga 12 shtatori 2026 deri më 29 maj 2027. Fillimisht ishin parashikuar vetëm 10 koncerte, por organizatorët vendosën të shtonin data të tjera pas interesit të madh të publikut.

Sipas raportimeve, kërkesa për bileta ka qenë jashtëzakonisht e lartë, me rreth 1.17 milionë të shitura brenda vetëm pak orësh. Repertori i koncerteve pritet të përfshijë disa prej këngëve që kanë shënuar karrierën shumëvjeçare të Dion, mes tyre “My Heart Will Go On”, “It’s All Coming Back to Me Now” dhe “The Power of Love”.

Rikthimi merr një domethënie të veçantë edhe për shkak të betejës së këngëtares me Stiff Person Syndrome (SPS), një çrregullim i rrallë neurologjik që e detyroi të ndërpriste angazhimet profesionale dhe të qëndronte larg turneve.

Në moshën 58-vjeçare, Céline Dion po tenton kështu të hapë një kapitull të ri në karrierën e saj, duke u rikthyer përpara publikut pas një prej periudhave më të vështira të jetës së saj.