Sipas raportimeve të mediave portugeze, Cristiano Ronaldo dhe partnerja e tij prej vitesh, Georgina Rodriguez, po planifikojnë të kurorëzojnë dashurinë e tyre me martesë këtë fundjavë.

Burime pranë çiftit pretendojnë se ceremonia është planifikuar të zhvillohet të shtunën, më 1 gusht, në pronën luksoze Quinta da Regaleira, në Sintra të Portugalisë. Megjithatë, deri në këtë moment, as Cristiano Ronaldo dhe as Georgina Rodriguez nuk kanë konfirmuar zyrtarisht lajmin. Sipas mediave portugeze, përgatitjet e fundit për ceremoninë kanë nisur tashmë. Thuhet se Georgina ka preferuar një dasmë intime, të rezervuar vetëm për familjarët dhe miqtë më të afërt, larg vëmendjes së publikut dhe spektaklit mediatik.

Megjithatë, lista e të ftuarve që po qarkullon në media është mbresëlënëse. Mes emrave të përfolur janë futbollistët e Kylian Mbappé, Vinícius Júnior dhe Rodrygo, aktori Vin Diesel, gazetari Piers Morgan, këngëtaret Rihanna dhe Jennifer Lopez, reperët Drake dhe Travis Scott, ish-kampioni i UFC-së Khabib Nurmagomedov, ish-mbrojtësi i Anglisë Rio Ferdinand, si edhe krijuesi i njohur i përmbajtjes IShowSpeed.

Nga ana tjetër, ende nuk dihet nëse shokët e skuadrës së Ronaldos te Al Nassr FC do të jenë pjesë e ceremonisë. Historia e dashurisë mes Cristiano Ronaldos dhe Georgina Rodriguez nisi në vitin 2016, kur ata u njohën në një dyqan Gucci në Madrid, ku Georgina punonte në atë kohë. Që prej asaj kohe, çifti ka ndërtuar një familje të madhe dhe është kthyer në një nga çiftet më të famshëm në botën e sportit dhe spektaklit. Për momentin, gjithçka mbetet në nivel raportimesh dhe spekulimesh. Mbetet për t’u parë nëse Cristiano Ronaldo dhe Georgina Rodriguez do ta zyrtarizojnë vërtet lidhjen e tyre me një ceremoni martese këtë fundjavë.