Aktori i famshëm turk, Çagatay Ulusoy dhe Aslıhan Malbora po shijojnë disa ditë pushimi në Bodrum, larg angazhimeve profesionale dhe vëmendjes së publikut. Çifti, i cili prej rreth dy vitesh e ka mbajtur marrëdhënien larg kamerave, është fotografuar në një jaht pranë gjirit Yalıçiftlik.
Në pamjet e publikuara nga mediat turke, dy aktorët shfaqen të relaksuar, teksa marrin rreze dielli, notojnë dhe argëtohen me miqtë e tyre. Ulusoy është parë edhe duke peshkuar, ndërsa më pas i është bashkuar partneres së tij në kuvertën e jahtit.
Gjatë pushimeve, çifti provoi edhe një mjet argëtues ujor të njohur si “ringo”, ndërsa në mbrëmje raportohet se kanë darkuar vetëm, duke kaluar disa momente romantike larg zhurmës së qytetit.
Megjithatë, më shumë se dalja e rrallë publike me Aslıhan Malbora, vëmendjen e rrjeteve sociale e ka tërhequr pamja e re e Çagatay Ulusoy. Aktori është shfaqur me mjekër të gjatë, tipare më të plota në fytyrë dhe një fizik më të rëndë krahasuar me imazhin e tij të dikurshëm.
Diskutimet u shtuan pasi ai realizoi një fotografi me një fanse në Turkbuku. Imazhi u shpërnda me shpejtësi në rrjetet sociale, ku ndjekësit nisën të krahasonin pamjen e tij aktuale me fotografitë e viteve të mëparshme, kur aktori njihej për fizikun e tij të tonifikuar dhe muskuloz.
Një nga projektet e tij më të fundit ishte seriali “Eşref Ruya”, ku luajti përkrah Demet Ozdemir. Në këtë produksion, Çagatay Ulusoy interpretoi Eşref Tek, një personazh të fuqishëm dhe karizmatik të botës së krimit.
Për t’iu përshtatur më mirë figurës së personazhit, aktori raportohet se shtoi rreth 7.5 kilogramë. Ndryshimi u vu re në strukturën e shpatullave, në tiparet më të plota të fytyrës dhe në fizikun më masiv, elemente që synonin t’i jepnin personazhit një paraqitje më imponuese.
Pas përfundimit të serialit, duket se Ulusoy ka ruajtur një pjesë të peshës së fituar për rolin. Pamjet e fundit nga Bodrumi tregojnë se aktori vazhdon të mbajë mjekrën e gjatë dhe një pamje më natyrale, larg imazhit të kuruar të tapetit të kuq.
Reagimet në rrjet kanë qenë të ndara. Disa ndjekës kanë vlerësuar pamjen e tij të re dhe faktin që aktori nuk i kushton rëndësi standardeve të zakonshme të imazhit, ndërsa të tjerë kanë deklaruar se preferojnë fizikun e tij të mëparshëm.






