Aktorja e famshme, Blake Lively, ka vendosur që të tërheqë disa nga akuzat e bëra kundër aktorit dhe regjisorit, Justin Baldoni, thuhet në dokumentet e fundit gjyqësore.
Në vrazhdën e betejës ligjore midis dy kolegëve, që lindi nga konflikte të krijuara gjatë xhirimeve të filmit “It Ends with Us”, Lively kërkoi më 2 qershor që të tërheqë akuzat për shkaktim të dëmit emocional.
Avokati i Baldoni-t, Kevin Fritz, më herët i paraqiti një letër trupës gjykues, ku kërkonte që dëmi emocional i Blake të vlerësohej nga specialistët, ku ajo ka kërkuar ndihmë gjatë kësaj kohe. Gjithashtu kërkonte që pretendimet e saj të dokumentoheshin përmes terapive psikologjike që aktorja ka ndjekur.
Por, në vend që të bashkëpunonte, Lively ka zgjedhur të tërhiqet. Ky veprim sipas avokatëve të regjisorit, tregon se ajo nuk dëshiron të zbulojë informacione dhe dokumente që mund të hedhin poshtë këto pretendime.
Nga ana tjetër, avokatët e Lively-t, Esra Hudson dhe Mike Gottlieb, reaguan përmes një deklarate për revistën “People”, ku thanë:
“Sërish, pala tjetër po përdor një hap rutinë të procesit ligjor si truk për të krijuar bujë në media. Ne po bëjmë atë që bëjnë avokatët: po përgatitemi për gjyq duke e fokusuar dhe përqendruar çështjen. Ata po bëjnë atë që dinë të bëjnë: të kërkojnë dëshpërimisht vëmendje mediatike.”
Padia e Lively përfshin gjithashtu akuzat për ngacmim seksual dhe dëmtim imazhi.
Kujtojmë se konflikti midis dy aktorëve nisi në dhjetor të vitit të kaluar, kur Lively paditi Baldoni-n për ngacmim seksual dhe fushatë shpifëse me qëllim denigrimin e imazhit të saj.
Baldoni i ka mohuar akuzat dhe në janar të vitit 2025 ngriti padi kundër Lively-t, bashkëshortit të saj, Ryan Reynolds dhe ekipit të tyre të PR-it, duke i akuzuar për shantazh, shpifje dhe akuza të tjera.