Një nga ikonat më të suksesshme të muzikës dhe biznesit, Rihanna, ka pësuar një goditje të ndjeshme financiare. “Forbes” ka bërë publike listën për “Gratë më të pasura që e kanë ndërtuar vetë pasurinë në SHBA” dhe vlera neto e saj ka rënë nga 1.4 miliardë dollarë në 1 miliard, një ulje prej 29 për qind.

Kjo rënie vjen pavarësisht suksesit të vazhdueshëm të markës së saj të famshme, “Fenty Beauty”, dhe pranisë së saj të qëndrueshme në tregun global. Sipas “Forbes’, sfidat brenda disa prej bizneseve të saj kyçe kanë ndikuar negativisht në të ardhurat.

Çfarë ndodhi me “Savage X Fenty”?

Një nga momentet kyçe ishte largimi i CEO-së së “Savage X Fenty” në gusht të vitit 2024. Ish-drejtuesi i markës u largua për të marrë postin e CEO-së së “Victoria’s Secret”, një zhvillim që thuhet se ndikoi në ecurinë e brendit të të brendshmeve të Rihanna-s.

“Fenty Beauty” pa rritje, pavarësisht zgjerimit në Kinë

Ndërkohë, edhe pse “Fenty Beauty” mbeti stabile në shitje, mungesa e një rritjeje të ndjeshme dhe sfidat në tregun kinez, ku Rihanna zgjeroi praninë e markës së saj në partneritet me gjigantin LVMH, kanë kontribuar në këtë rënie të përkohshme të pasurisë së saj.

Rihanna mbetet ndër më të pasurat dhe më aktive se kurrë

Megjithatë, ajo renditet ende e 35-ta në listën e “Forbes”, përkrah emrave si Oprah Winfrey, Beyoncé, Kim Kardashian, Serena Williams dhe Taylor Swift.

Pavarësisht sfidave financiare, Rihanna mbetet aktive në botën e modës dhe kozmetikës. Në prill, “Savage X Fenty” prezantoi një koleksion nusërie, ndërsa “Fenty Beauty” solli sërish në treg produktin kult “Body Lava”, pikërisht në kohë për sezonin veror.