Një tjetër histori dashurie në showbiz-in shqiptar duket se ka hyrë në një moment të vështirë, duke ndezur menjëherë rrjetet sociale dhe reagimet e fansave.

Në qendër të vëmendjes janë Danja Koka dhe partneri i saj Redi, të cilët kanë ngritur dyshime për një krisje në marrëdhënien e tyre. Shkak janë bërë disa ndryshime të dukshme në rrjetet sociale, që nuk kanë kaluar pa u vënë re nga ndjekësit.

Fillimisht, fansat kanë konstatuar se dyshja nuk e ndjek më njëri-tjetrin në Instagram, një veprim që shpesh shihet si sinjal i një problemi në çift.

Por ajo që ka shtuar edhe më shumë dyshimet është fakti se të dy kanë fshirë çdo foto të përbashkët nga profilet e tyre, duke zhdukur çdo gjurmë të lidhjes.

Ky ndryshim i papritur ka habitur publikun, sidomos duke qenë se deri pak kohë më parë ata shfaqeshin shumë të afërt dhe aktivë në rrjete sociale, ku ndanin shpesh momente nga jeta e tyre së bashku.

Për momentin, asnjëri prej tyre nuk ka reaguar publikisht për situatën, duke lënë gjithçka në nivel spekulimesh. Nuk dihet ende nëse bëhet fjalë për një ndarje përfundimtare apo thjesht për një krizë të përkohshme larg syrit të publikut.