Reperja e famshme, Cardi B, i ka surprizuar fansat shqiptarë me një gjest që u prit me shumë emocion. Vetëm pak javë pasi një video e saj ky pyeste një djalë shqiptar për ‘përkthimin’ e emrit të saj në shqip u bë viral, tani ajo është shfaqur në një tjetër moment të bukur pranë komunitetit shqiptar.

Në një event madhështor, i cili besohet të jetë i lidhur me promovimin e albumit të saj më të fundit “Am I the Drama?”, reperja e famshme është fotografuar pranë një të riu shqiptar, i identifikuar si Drino.

Por më shumë se shoqëria e rastësishme, ajo që mori vëmendjen kryesore ishte detaji simbolik: Cardi B mbante mbi supe flamurin shqiptar.

Menjëherë pamjet u shpërndanë në rrjetin social “Instagram”, duke ngjallur reagime të shumta pozitive. Fansat shqiptarë e cilësuan këtë si një akt respekti dhe afërsie. Kishte nga ata që mendonin se Cardi B po krijon një lidhje të veçantë me kulturën shqiptare.

Ky nuk është rasti i parë që reperja ndërvepron me shqiptarët, por shfaqja e saj me flamurin kuqezi e ka bërë këtë moment të marrë një dimension tjetër.