Këngëtari i famshëm, Chris Brown, bëri një paraqitje të papritur në një gjykatë të Londrës këtë të premte, në kuadër të një seance paraprake për gjyqin e tij që do të mbahet vitin e ardhshëm.

36-vjeçari akuzohet për sulm ndaj një producenti muzikor me një shishe në një klub nate në Londër.

Chris Brown i mohoi më herët këtë vit akuzat për përpjekje për të shkaktuar dëmtime të rënda fizike dhe një akuzë më të lehtë për sulm që shkakton lëndim fizik real, të cilin prokuroria e përshkroi si një “sulm të paprovokuar”.

Sipas akuzës, incidenti ndodhi më 19 shkurt të vitit 2023 në klubin “Tape” në Hanover Square, Mayfair. Viktima e dyshuar është producenti muzikor, Abraham Diaw.

Këngëtari nuk ishte i detyruar të paraqitej në seancë, por vendosi të ishte i pranishëm në Southwark Crown Court, ku foli vetëm për të konfirmuar emrin e tij.

Artisti doli para gjykatës së bashku me bashkë-të-pandehurin e tij, reperin dhe producentin nga Dallas Omololu Akinlolu, 38 vjeç, i cili gjithashtu mohoi akuzat.

Gjyqi i tyre pritet të nisë në tetor të vitit 2026.

Sipas prokurorisë, Diaw po qëndronte në barin e klubit kur u godit disa herë me një shishe. Më pas, ai u ndoq në një zonë tjetër të klubit dhe u godit me grushta e shqelma, ndërsa ishte në tokë. Ngjarja është filmuar nga kamerat e sigurisë, ndërsa prokurorja Hannah Nicholls e ka cilësuar atë si “një sulm jashtëzakonisht serioz”.

Brown u arrestua më 15 maj 2025 në një hotel në Manchester, pak orë pasi mbërriti në Britani me avion privat, pas turneut të tij “Breezy Bowl XX”. Ai u lirua më 21 maj nga HMP Forest Bank në Salford kundrejt një garantie prej 5 milionë paundësh, me kusht që të mund të largohej nga Britania për të vijuar turneun.