Chris Brown po përpiqet të mbajë larg nga një proces i ri gjyqësor në Los Angeles çështjen e bujshme të vitit 2009 me Rihanna-n, ndërsa përballet me një padi të re që lidhet me një incident të rëndë në shtëpinë e tij.

Padia është ngritur nga ish-pastruesja e shtëpisë së tij, Maria Avila, e cila pretendon se u sulmua nga një qen në rezidencën e Brown në Tarzana, në dhjetor të vitit 2020.

Sipas saj, sulmi i shkaktoi plagë serioze në fytyrë dhe krah, e detyroi t’i nënshtrohej një operacioni urgjent dhe i la pasoja afatgjata, përfshirë humbje të shikimit dhe dëmtime të dukshme fizike.

Gjyqi për këtë çështje është planifikuar të nisë më 15 qershor.

Avokatët e Chris Brown i kanë kërkuar gjykatës që incidenti i vitit 2009 me Rihanna-n të mos përmendet fare gjatë procesit, duke argumentuar se ai rast i përket së kaluarës dhe nuk ka lidhje me çështjen aktuale.

Nga ana tjetër, ekipi ligjor i Maria Avila kundërshton këtë kërkesë, duke thënë se nuk duhet të përjashtohet informacion që mund të bëhet i rëndësishëm më vonë gjatë gjykimit, sidomos nëse lidhet me sjelljen ose besueshmërinë e deklaratave.

Në dëshminë e tij, Brown ka deklaruar se e gjeti Avilën të shtrirë në tokë pasi dëgjoi qenin, kontrolloi nëse ajo po merrte frymë, siguroi kafshët dhe më pas u largua pasi iu tha se ambulanca ishte rrugës.

Kujtojmë se çështja e vitit 2009 me Rihanna-n përfundoi me pranimin e fajësisë nga Brown për sulm të rëndë, duke marrë dënim me kusht, shërbim komunitar dhe këshillim.

Tashmë mbetet për t’u parë nëse gjykata do të lejojë që e kaluara e tij të rikthehet sërish në sallën e gjyqit.