Aktori i famshëm i Hollywood-it, Al Pacino, rikthehet në ditët e “Godfather” me filmin e ri aksion-triller “Father Joe”, ku luan rolin e një bosi të fuqishëm të mafias.

85-vjeçari u shfaq për herë të parë në setin e xhirimeve në Paris, të martën, i transformuar plotësisht në personazhin e tij, shkruan “Daily Mail”.

Aktori amerikan është i njohur botërisht për rolin legjendar të Michael Corleone në trilogjinë “The Godfather”.

Duke u rikthyer te rrënjët e tij si gangster, ylli i filmit u pa i veshur nga koka te këmbët me ngjyrë bezhë, me një jakë të madhe prej gëzofi artificial që i plotësonte kostumin në mënyrë dramatike.

Ndërkohë filmi po drejtohet nga Barthelemy Grossmann, ndërsa aktori Kiefer Sutherland do të luajë rolin kryesor si Father Joe, përkrah Pacino-s.

Ky triller i ri aksion zhvillohet në Manhattan të viteve 1990, ku Father Joe paraqitet si një burrë me besim të fortë fetar, i cili nis një luftë të dhunshme kundër botës së krimit në qytet.