Ish-çifti i famshëm i Hollywood-it, Brad Pitt dhe Angelina Jolie, janë prej disa kohësh në një betejë ligjore për pronësinë e vreshtarisë së famshme franceze, “Chateau Miraval”.

Duket se së fundmi kjo betejë ka marrë një kthesë të re, pasi thuhet se në dokumentet e dorëzuara në gjykatë në fund të tetorit, tregojnë se 61-vjeçari po kërkon nga 50-vjeçarja një kompensim prej rreth 30 milionë dollarësh, në lidhje me shitjen e aksioneve të saj në pronë.

Në dosjen e re gjyqësore janë përfshirë edhe komunikime elektronike mes përfaqësuesve ligjorë të të dy palëve, që lidhen me shitjen e pjesës së Jolie në vitin 2021.

Një prej email-eve të përfshira në dosje tregon se avokatët e aktores e akuzojnë Pitt për “krijimin e vështirësive të panevojshme” në proces, duke theksuar se kërkesa e tij për dëmshpërblim është “produkt i veprimeve të tij”.

Në një tjetër korrespondencë thuhet se Pitt ka kërkuar “kompensim të përhershëm” për dëmet që, sipas tij, i janë shkaktuar biznesit të Miraval. Nga ana tjetër, ekipi ligjor i Jolie pretendon se aktori ka refuzuar të dorëzojë dokumente që lidhen me arsyet e insistimit të tij për një marrëveshje konfidencialiteti katërvjeçare, të cilën ata e konsiderojnë të rëndësishme për zbardhjen e plotë të çështjes.

Procesi ligjor nisi në vitin 2022, kur Pitt paditi Jolie për shitjen e pjesës së saj pa miratimin e tij. Aktorja e mohoi ekzistencën e një marrëveshjeje të tillë dhe e akuzoi ish-bashkëshortin se po e përdor gjykatën për “motive hakmarrjeje personale”.