Pas një periudhe jashtëzakonisht të ngarkuar, që përfshinte ndër të tjera vizitën e presidentit të Nigerisë në Britani dhe pjesëmarrjen e tyre në ceremoni të rëndësishme mbretërore, çifti Princi William dhe Kate Middleton ka vendosur të reduktojë dukshëm shfaqjet publike gjatë muajit prill.
Ky vendim lidhet me pushimet shkollore të fëmijëve të tyre, princit George, princeshës Charlotte dhe princit Louis, të cilët ndjekin shkollën Lambrook, pranë rezidencës së tyre në Windsor. Shkolla u mbyll në fund të marsit dhe do të rihapet pas Pashkës, duke i dhënë familjes mundësinë të kalojë kohë së bashku.
Nuk është hera e parë që çifti mbretëror vendos të përshtatë programin e tyre me nevojat e fëmijëve. Përkundrazi, kjo është një praktikë e zakonshme për ta, duke reduktuar detyrimet publike gjatë pushimeve shkollore dhe duke vënë në fokus jetën familjare.
Gjatë këtyre periudhave, ata shpesh tërhiqen në vilën e tyre, Anmer Hall në Norfolk, ku gëzojnë momente më të qeta larg vëmendjes së mediave. Në një intervistë të mëparshme, Kate kishte treguar se momentet e saj të preferuara janë ato që kalojnë së bashku në natyrë.
Nuk përjashtohet mundësia që të bëjnë edhe një udhëtim familjar jashtë vendit. Për shembull, vitin e kaluar ata kaluan pushimet e Pashkëve duke bërë ski në Alpet franceze.
Ende nuk dihet nëse do të marrin pjesë në shërbesën e Pashkëve të familjes mbretërore këtë vit, pasi vitet e fundit ata kanë zgjedhur të mungojnë, duke preferuar momente më private. Sigurisht, Pashkët e tyre do të jenë të mbushura me aktivitete familjare.
