Në librin ‘Spare’, autobiografinë e Princ Harry-t, i cili do të dalë në shitje më 10 janar, Duka i Sussex bën disa zbulime që janë publikuar në media të ndryshme dhe që disa kanë shkaktuar habi dhe të tjerë bezdi, pasi zbulon sekretet e familjes mbretërore britanike.

Një prej tyre është edhe se cilat ishin fjalët e fundit që Harry i pëshpëriti gjyshes kur erdhi për ta parë në shtratin e saj disa orë pas vdekjes shtatorin e kaluar. Në libër, Harry rrëfen atë që përjetoi në shtator pas vdekjes së gjyshes së tij, duke zbuluar se i pëshpëriti asaj se “shpresonte që ajo të ishte e lumtur” dhe të ishte me gjyshin e tij, Princin Philip, i cili vdiq një vit më parë në moshën 99-vjeçare.

Ai shton se i tha asaj se “e admironte për përmbushjen e detyrave të saj deri në fund”, një referencë për pjesëmarrjen e saj në festimet e Jubileut Platinum të Mbretëreshës atë verë. Në pasazhin nga libri, Duka i Sussex tregon se pas kësaj, ai u largua nga dhoma e mbretëreshës në Balmoral në Skoci dhe telefonoi gruan e tij Meghan Markle për ta njoftuar se ai kishte mbërritur shëndoshë e mirë.

Ai gjithashtu thotë se e mësoi vdekjen e gjyshes së tij nga lajmet, pasi askush nga Buckingham Palace nuk i telefonoi për t’i treguar. Harry dhe Meghan kishin qenë në Gjermani për të promovuar Lojërat Invictus kur dëgjoi se shëndeti i saj po rëndohej dhe nxituan për të shkuar atje. Harry ishte i pranishëm në 10 ditë zie për Mbretëreshën, i shoqëruar nga gruaja e tij.