Rezart Veleshnja edhe pse është i ri në moshë mban rekord për rolet që ka realizuar deri më sot në spektaklin “Portokalli”. Në gjithë këto vite ai numëron rreth 100 karaktere të ndryshme duke e pasuruar kështu karrierën e tij si aktor.

Padyshim nuk ka qenë e lehtë për të hyrë nën lëkurën e kujtdo, por ai ja ka dalë që të na argëtojë dhe të na bëjë të qeshim çdo të diel në mbrëmje.

Rezin e kemi parë duke imituar gazetarë të njohur si Edi Manushi, Arian Çani, Ardit Gjebrea, Çim Peka, Reiz Çiço, Rudina Magjistari e së fundmi Muhamet Veliu e Spartak Koka.

Në gjithë repertorin e tij nuk mungojnë as figura si Erion Braçe, Arjan Konomi, apo karaktere shumë të njohura si Betim Spërdhima, drejtori i shkollës, Rrok Sufllaqja, taksisti e shumë e shumë role të tjera të përjavshme dhe episodike.

E veçanta e tij është që transformohet lehtësisht jo vetëm në pamje, por edhe me impostimin e zërit dhe gjestikulacionet e nevojshme që identifikojnë çdo personazh. Herë pas here ai ka pasur edhe reagime nga të famshmit që ka imituar, shumica prej të cilëve e kanë marrë me shumë sportivitet.

I ftuar në “Wake Up”, Rezi rrëfeu detaje nga jeta e tij si aktor, duke zbuluar edhe personazhin e 100-të që do imitojë. Ai është Muhamed Veliu, gazetari i politikës në Top Channel.

Personazhi i radhës për ty?

Rezi: Unë të them të drejtën kisha bërë një gabim në leximin e listës, por ka qenë 99, i 100 duhet të jetë Met Veliu.

Cili aktor mund të imitonte më mirë ty?

Flor maskara Binaj mund të më imitonte.

“Smira le të ziejë, qentë le të ecin përpara. Po nuk pati smirë në një marrëdhënie pune, s’ka konkurrencë”, ishte edhe mesazhi i Rezit për të gjithë ata që kanë ‘smirë’.