I ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë Alfred Cako. Ai ka folur më shumë për luftën Izrael-Iran, por dhe mundësinë për një Luftë të tretë Botërore. Sa rrezikon Shqipëria nga këto ngjarje?

Një vit më parë parashikuat luftën Iran-Izrael, si arritët në këtë përfundim?

Kur filloi lufta në Gaza, unë thashë që lufta nuk do të jetë si këto luftrat e zakonshme që ka bërë Izraeli që kur është krijuar në vitin ‘48, që kanë zgjatur pak ditë dhe me më pak viktima. Kam thënë që lufta do të jetë shumë e gjatë dhe qëllimi mund të jetë krijimi i Izraelit të madh. Unë kam vite që e them këtë, kam botuar dhe libra, madje mund të jem nga të parët që e kam thënë këtë që prej 20 vitesh, kam thënë që izraelitët ëndërrojnë të marrin Nilin në Egjipt, që nga Nili deri në Eufrat të jetë toka e tyre, siç ata përdorin këto historitë e Biblës dhe duke thënë që ‘këto janë tokat tona, ne jemi popull i zgjedhur’. Dhe kanë bërë sajesa të ndryshme historike për të justifikuar këto lloj veprimesh që ata po bëjnë sot. Në fakt, kjo tokë dhe ky territor vazhdimisht kanë parë shumë dhunë e shumë gjak, ku herë ka fituar njëra palë e është tërhequr pala tjetër, dhe herë ka ndodhur e kundërta, por kjo luftë nuk ka ndaluar. Por që t’i kthehemi kësaj ëndrrës për Izraelin e madh, këtë e konstatojmë shumë kollaj nëse shohim në krahun e të gjithë ushtarakëve të Izraelit, është harta e re që ata ëndërrojnë të krijojnë për shtetin e tyre. Po ta shikosh me kujdes ka formën e një çizmeje, dhe është çizmja që do t’i vihet gjithë Lindjes së Mesme në fyt kur të krijohen këto territore. Krijimi i këtyre territoreve sigurisht që do të shoqërohet në radhë të parë me dezintegrim të shteteve politike që ata kanë ndërmend të ngrejnë shtetin e tyre në këto territore, ku do të përfshihet – përveç këtyre që janë përfshirë deri tani, siç është prishja e Libanit, prishja e Sirisë, prishja e Irakut – dhe së fundmi po përpiqen të prishin Iranin, nuk e dimë se si do të shkojë kjo luftë. Sepse sapo ka filluar, mund të zgjasë dhe shumë më tepër.