Një trend i pazakontë në fushën e estetikës po merr vëmendje në SHBA, ku përdoret yndyrë e përpunuar nga trupa të dhuruar për ndërhyrje kozmetike. Kjo metodë, e njohur si përdorimi i “nekrokozmetikës”, bazohet në trajtimin dhe pastrimin e indeve yndyrore njerëzore, të cilat më pas injektohen për të rikthyer volum në zona të ndryshme të trupit.
Teknika është zhvilluar si një alternativë më pak invazive ndaj kirurgjisë plastike tradicionale, duke shmangur operacionet dhe anestezinë, ndërsa premton rezultate më natyrale.
Megjithatë, kjo praktikë ka hapur një debat të madh etik. Kritikat fokusohen te përdorimi i materialeve nga trupa të vdekur dhe mungesa e transparencës në mënyrën se si merren dhe përdoren këto inde. Ekspertët theksojnë se, ndonëse procedura është ligjore dhe përdoret edhe për qëllime mjekësore, si rindërtimi i indeve, aplikimi i saj për arsye estetike ngre pikëpyetje serioze.



