Ekrani më i dashur i shqiptarëve, Top Channel, e nis sezonin e ri me plot surpriza por edhe të papritura. Emisioni investigativ “Fiks Fare” këtë sezon do të jetë nën moderimin e dy figurave shumë të dashura për publikun shqiptar.

Është fjala për aktorin e mirënjohur, Julian Deda, dhe moderatoren e njohur, Xhemi Shehu. Mëngjesin e kësaj të hëne, ata ishin të ftuar në studion e emisionit “Wake Up”, ku kanë folur për emocionet e kësaj eksperience të re.

Gjithashtu gjatë kësaj interviste Xhemi tregoi nëse do të jetë më pjesë e spektaklit më të madh të  humorit, “Portokalli”.

““Portokallia” është dashuria e vjetër, mund të jem ndonjëherë për ndonjë rol bashkë me Julin”, u shpreh Shehu, duke treguar se nuk do të jetë më në moderim së bashku me Salsano Rrapin dhe Nevina Shtyllën.

Këtu ndërhyn aktori i njohur dhe thotë: “Nëse shkon Xhemi, do të shkoj edhe unë”.

Ndërkohë e pyetur se çfarë do t’i mungojë nga “Portokallia”, Xhemi Shehu me lot në sy dhe e mallëngjyer u përgjigj:

“Do më mungojnë të gjithë kolegët. Janë shumë të mirë dhe do më mungojnë shumë, është një staf që e dua shumë. I uroj shumë suksese Nevinës, e di që do shkëlqejnë, do jenë shumë mirë”.