Fejesa e Princit Leka Zogu II dhe Blerta Celibashit ka tërhequr vëmendje edhe jashtë Shqipërisë. Revista franceze “Point de Vue” i ka kushtuar një artikull të veçantë kësaj ceremonie, e cila u zhvillua në plazhin me rërë të bardhë dhe ujëra të kaltër të Ksamilit.
Më 11 tetor, princi 43-vjeçar mblodhi rreth 70 të ftuar, miq e të afërm, për të formalizuar fejesën me Blerta Celibashin, fotografe 27-vjeçare. Në ceremoni mori pjesë edhe vajza e tij, Geraldina, që më 22 tetor mbush pesë vjeç, lindur nga martesa e mëparshme e Lekës me Elia Zaharian, e përfunduar me divorc.
Në kompleksin luksoz ku u organizua mbrëmja, të ftuarit u shërbyen me japrakë, përpara se princi të ngrinte dollinë e parë, duke i falënderuar në anglisht. Blerta, nga ana e saj, mbajti një fjalë të shkurtër në shqip. Pas kësaj, çifti vallëzoi për herë të parë si të fejuar. Në një nga unazat e shkëmbyera lexohej mbishkrimi: “Dashuria i duron të gjitha.”
Në një intervistë për revistën, çifti ndau emocionet dhe mendimet për këtë hap të rëndësishëm:
– Si dëshironit të ishte mbrëmja?
Princi Leka: Fejesa jonë duhej të pasqyronte sinqeritetin dhe thjeshtësinë tonë. Nuk ishte vetëm një moment personal, por edhe një mënyrë për të falënderuar ata që na kanë mbështetur dhe, më gjerë, për t’u ndarë me popullin shqiptar.
– Si vendosët ta zyrtarizonit lidhjen?
Princi Leka: Vendimi erdhi natyrshëm. Marrëdhënia jonë është ndërtuar mbi besim dhe miqësi, dhe e kuptuam se ishim gati kur rrugët tona personale dhe profesionale u bashkuan në të njëjtin drejtim.
– Si do ta përshkruanit Blertën?
Princi Leka: Blerta është e fortë, e kulturuar dhe plot empati. Ajo është vegjetariane, dashuruese e natyrës dhe e fotografisë, përmes së cilës rrëfen histori me ndjeshmëri. Ajo mishëron modernitetin shqiptar në formën më të natyrshme.
– Çfarë ju tërhoqi te njëri-tjetri?
Princi Leka: Më mahniti zgjuarsia, ndjeshmëria dhe forca e heshtur e saj. Ajo sillet me dinjitet dhe mirësi të sinqertë.
Blerta Celibashi: Tek Leka më preku integriteti, durimi dhe përkushtimi ndaj misionit të tij. Ai tregon një përulësi të rrallë, dhe ndjenja e tij e përgjegjësisë ndaj Shqipërisë më frymëzon thellësisht.
– Si e shihni të ardhmen tuaj së bashku?
Princi Leka: Synimi ynë është të ndërtojmë një jetë me kuptim, në shërbim të të tjerëve. Shqipëria po ndryshon vazhdimisht, dhe ne duam të ndihmojmë në këtë proces, duke nxitur përpjekjet diplomatike dhe mbështetur rrugëtimin europian të vendit. Familja mbretërore, besoj, do të vazhdojë të ruajë ekuilibrin mes republikës, historisë dhe trashëgimisë.