Dasmë italiane për Justin Timberlake. Sipas revistës People, këngëtari dhe aktori amerikan është martuar të premten me aktoren amerikane Jessica Biel. Çifti ka zgjedhur Italinë për të kurorëzuar martesën e tyre dhe ceremonia është zhvilluar në mënyrë tepër diskrete, larg objektivëve të fotografëve.
Justin dhe Jessica janë shprehur për “People.com”: “Është diçka e mrekullueshme të martohesh, ceremonia ishte e këndshme dhe ishte diçka speciale të qenit i rrethuar nga familjet tona dhe miqtë tanë”. Çifti hollivudian i mbajti të ftuarit të painformuar se në cilin vend do të organizohej dasma e tyre. I vetmi orientim ka qenë se dasma do të bëhej në Italinë jugore.
Justin, 31 vjeç, dhe Jessica, 30 vjeç, kanë qenë të lidhur prej 5 vitesh. Ai e kishte propozuar atë në “Big Sky Montana” dhjetorin e kaluar, duke u paraqitur me një kostum me një dizenjo unaze. Këngëtari bëri të ditur se cilësia më e rëndësishme e tyre si çift është pikërisht dëshira për të punuar shumë në lidhje me marrëdhënien e tyre.
“Disa ditë janë më të mira se disa të tjera për të gjithë ne. Nëse ne kemi ditët tona të mira apo të këqija si individ, e më pas duhet të përballemi me ditët e mira e të këqija të dikujt tjetër, atëherë është diçka për t’u marrë në konsideratë. Por, ajo që kam mësuar nga paraardhësit e mi është diçka shumë e rëndësishme: durimi dhe dhembshuria. Kur të duhet të jetosh me dikë tjetër, këto dy cilësi të ndjekin gjatë gjithë jetës”, ka thënë Justin. Martesa është e para për të dy yjet e Hollivudit.
20 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)