Një incident i pazakontë ka vënë në lëvizje autoritetet në Guangdong, ku një grua u filmua duke hedhur nga apartamenti i saj një shumë të madhe parash, që sipas vlerësimeve arrin rreth 162 mijë dollarë. Videoja tregon kartëmonedha që bien nga një ndërtesë shumëkatëshe, duke shkaktuar kaos në zonë. Banorë dhe kalimtarë u panë teksa nxituan të mblidhnin paratë që shpërndaheshin në rrugë.
Sipas informacioneve, bëhej fjalë për kartëmonedha prej 1,000 dollarësh të Hong Kongut, ndërsa administrata e pallatit konfirmoi se ato ishin autentike. Disa raportime e lidhin veprimin me një konflikt personal mes gruas dhe bashkëshortit të saj, ndërsa burime të tjera sugjerojnë se ajo mund të ketë qenë nën presion psikologjik pas lajmeve për shëndetin e një të afërmi.
Ndërkohë, autoritetet lokale kanë nisur hetimet për të sqaruar plotësisht rastin dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve që kanë marrë para t’i dorëzojnë ato, pasi konsiderohen pjesë e një ngjarjeje nën shqyrtim zyrtar.


