Demi Moore, një nga emrat më të njohur të Hollywood-it, ka fituar një sërë çmimesh prestigjioze gjatë karrierës së saj, nga Golden Globes te Screen Actors Guild Awards. Viti i kaluar ishte i veçantë për aktoren amerikane, pasi fitoi për herë të parë një Golden Globe dhe ishte shumë pranë marrjes së një çmimi Oscar për rolin e saj në filmin “The Substance”, ku interpreton një yll të vjetër të Hollywood-it, Elisabeth Sparkle.
Që në vitin 1995, Moore u bë aktorja më e paguar në botë, dhe sot, 30 vite më vonë, ajo është përfshirë në listën e 100 personave më me ndikim në botë të revistës Time.
Megjithatë, edhe pse skenat e forta të filmit “The Substance” mund të dukeshin sfiduese, Moore ka rrëfyer se roli që vërtet e tmerronte ishte ai që mori në adoleshencë. Në një intervistë për PEOPLE, 62-vjeçarja u ndal te roli i saj si gazetarja Jackie Templeton në serialin “General Hospital”, ku luajti nga viti 1982 deri në 1984.
“Momenti i parë që më dha një ndjesi se ëndrra ime mund të bëhej realitet ishte kur fitova rolin në General Hospital, një serial shumë i suksesshëm në atë kohë,” tha ajo. “Në fakt, seriali ishte në kulmin e suksesit sepse Elizabeth Taylor sapo kishte qenë një e ftuar speciale.”

Aktorja kujton:
Ishte një muaj para ditëlindjes sime të 19-të. Ishte një punë e vërtetë me pagë të rregullt. Kjo do të thoshte që nuk më duhej një punë tjetër për të jetuar – mund të mbështetesha vetëm te aktrimi, që ishte ëndrra ime.

Duke parë një foto publicitare nga ajo kohë, Moore tha se dukej “shumë e rregulluar”, duke shtuar:
Isha jashtëzakonisht e emocionuar, por duke parë këtë foto tani, besoj se isha edhe shumë e trembur.
Megjithatë, roli në “General Hospital” i hapi rrugën suksesit: në vitin 1984 u shfaq në filmin “Blame It on Rio”, që u prit shumë mirë nga kritika. Vetëm një vit më pas, Moore luajti në “St. Elmo’s Fire “dhe në 1986 në “About Last Night…”. Por kulmi i suksesit erdhi në vitin 1990 me filmin “Ghost”, i cili u bë filmi me fitimet më të larta të atij viti.