Doja Cat ka folur hapur për vështirësitë që ka përjetuar në të kaluarën me përdorimin e substancave, ndërsa iu përgjigj edhe pretendimeve në internet se ajo ka demonë. Artistja 30-vjeçare, fituese e çmimit Grammy, publikoi të hënën një seri videosh në TikTok, ku u shpreh se kishte pasur “frikë” të fliste për këtë temë. Megjithatë, ajo tha se në një rrugëtim drejt shërimit është e rëndësishme të përballesh çdo ditë me diçka që të frikëson.
Duke iu referuar komenteve që qarkullojnë online, këngëtarja e “Say So” tha:
Shumë njerëz në internet besojnë se unë jam demon, se kam demonë, se kam të keqe brenda meje.
Doja Cat, emri i vërtetë i së cilës është Amala Ratna Zandile Dlamini, shpjegoi se, nëse ka diçka pozitive në këtë perceptim, është mundësia që ajo ta përdorë këtë temë për të folur më gjerësisht rreth asaj që ajo i quan “demonë” dhe “e keqe”.
Sipas saj, “demonët” mund të lidhen edhe me varësinë nga droga, alkooli apo rrjetet sociale, veçanërisht kur këto kombinohen me probleme të shëndetit mendor që nuk janë trajtuar apo diagnostikuar.
Duke folur nga përvoja e saj, këngëtarja tregoi se interneti dikur ishte bërë një mënyrë për të kërkuar miratim për mendimet negative që kishte, ndërsa konsumimi i alkoolit i përforconte ato. Ajo sqaroi se nuk kishte pasur probleme serioze me drogat, duke përmendur kanabisin, por pranoi:
Alkooli është diçka me të cilën patjetër kam pasur probleme. Padyshim që kam pasur probleme me alkoolin.
Në një tjetër video, Doja Cat foli më konkretisht për betejat e saj të së kaluarës me varësinë, duke përmendur edhe kokainën.
Artistja i këshilloi ndjekësit të mos i bashkojnë problemet e shëndetit mendor me përdorimin e substancave dhe të tregohen të kujdesshëm me mënyrën se si përballojnë emocionet negative.
Ajo i nxiti njerëzit të qëndrojnë krijues, të kujdesen për veten dhe mbi të gjitha të kujtojnë se “nuk janë të pathyeshëm”.


