Një mjek kalifornian është dënuar me tetë muaj arrest shtëpie dhe tre vite liri me kusht, duke u bërë personi i dytë që merr dënim penal në lidhje me vdekjen nga mbidoza të aktorit të famshëm të serialit “Friends”, Matthew Perry. Dr. Mark Chavez, i cili punon në San Diego, pranoi fajësinë për akuza penale të lidhura me shpërndarjen e paligjshme të ketaminës, substancë që u gjet në nivele të larta në gjakun e Perry-t pas vdekjes së tij në vitin 2023, në banesën në Los Angeles. Chavez ishte pjesë e një rrjeti ilegal që furnizonte aktorin me ketaminë, përmes recetave të rreme dhe shitjeve të fshehta.
Chavez siguroi ketaminën nga klinika e tij dhe nga një distributor me shumicë, duke përdorur emrin e një ish-pacienteje pa dijeninë apo pëlqimin e saj. Ai ia shiti drogën mjekut tjetër, Salvador Plasencia, i cili më pas ia furnizonte Perry. Plasencia u dënua më herët këtë muaj me 30 muaj burg.
Hetimi zbuloi se mjekët diskutonin përfitimin financiar nga varësia e aktorit, duke e tallur atë në mesazhe private. Përveç dy mjekëve, tre persona të tjerë, përfshirë asistentin personal të Perry dhe një tregtare droge e njohur si “Mbretëresha e Ketaminës”, pritet të dënohen në muajt në vijim. Autopsia konfirmoi se vdekja e Matthew Perry u shkaktua nga efektet akute të ketaminës.



