Policia katalanase Mossos d’Esquadra po kryen verifikime lidhur me një rast të dyshuar dhune seksuale, të raportuar nga një grua, ku i përfshirë dyshohet të jetë Fatinho Jr., vëllai i futbollistit Ansu Fati. Sipas deklarimeve paraprake të gruas, ngjarja e dyshuar ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së dielës, më 8 shkurt, në një banesë private në provincën e Barcelonës. Fillimisht, ajo kishte besuar se banesa ishte e një futbollisti tjetër të njohur, Lamine Yamal.

Megjithatë, FC Barcelona ka reaguar duke mohuar kategorikisht çdo lidhje të episodit me lojtarin, duke sqaruar se ngjarja nuk ka ndodhur në asnjë pronë që lidhet me Yamal dhe se objekti nuk ndodhet në zonën e Esplugues.

Sipas burimeve policore të cituara nga media spanjolle ABC, gruaja, shtetase holandeze kishte kaluar mbrëmjen në një klub nate në Barcelonë, konkretisht në diskotekën Shoko, në shoqërinë e Fatinho Jr. dhe disa personave të tjerë. Më pas, grupi është zhvendosur në një banesë private. Gruaja ka deklaruar se, pasi është zgjuar, është gjetur e zhveshur pranë të riut, pa pasur kujtesë të plotë për çfarë kishte ndodhur.

Autoritetet kanë bërë të ditur se episodi nuk ka ndodhur në banesën e Lamine Yamal, duke hedhur poshtë informacionet fillestare që qarkulluan në këtë drejtim. Gruaja dyshon se mund të ketë qenë viktimë e dhunës seksuale, me përdorimin e mundshëm të substancave narkotike dhe për këtë arsye është shoqëruar në spital për ekzaminime mjekësore. Burime hetimore kanë theksuar se zbulimi i substancave të tilla është shpesh i vështirë, pasi ato mund të eliminohen nga organizmi brenda pak orësh.

Pas sinjalizimit, Mossos d’Esquadra kanë nisur verifikime paraprake, por deri në këtë fazë nuk është depozituar ende një kallëzim penal formal.