Një rrëfim i rikthyer në vëmendje nga mediat franceze hedh dritë mbi dy zërat e parë që tentuan të ndalin Jeffrey Epstein shumë përpara se çështja të shpërthente publikisht. Maria Farmer, artiste në Nju Jork, thotë se u njoh me Epstein në fillim të viteve 1990, pasi ai u interesua për punët e saj dhe i ofroi mbështetje financiare e mundësi pune.
Sipas dëshmisë së saj, kjo lidhje u shndërrua gradualisht në një rrjet kontrolli dhe manipulimi, ku pranë Epstein ishte vazhdimisht edhe Ghislaine Maxwell. Në të njëjtën periudhë, Maria përmend se në rrethin e tyre shfaqeshin figura të njohura të shoqërisë, përfshirë edhe magnatin e atëhershëm të pasurive të paluajtshme, Donald Tramp.
Pika më e rëndë e historisë lidhet me përfshirjen e motrës së saj më të vogël, Annie, e cila në atë kohë ishte ende adoleshente dhe kishte ambicie akademike. Sipas rrëfimit, Epstein u paraqit si mik i besueshëm, u shfaq tepër bujar dhe premtoi mbështetje, ndërsa situatat u bënë gjithnjë e më të papërshtatshme dhe të rënda për t’u kuptuar në atë moshë. Më pas, Maria pretendon se u përball edhe vetë me një episod të rëndë në një nga pronat ku qëndronte, duke e kuptuar se bëhej fjalë për një skemë të ndërtuar.
Në vitin 1996, Maria Farmer deklaron se shkoi në polici dhe më pas kontaktoi edhe autoritete federale, duke kallëzuar Epstein dhe Maxwell. Por, sipas rrëfimit, dosja u përplas mes juridiksioneve dhe nuk pati reagim të dukshëm. Vitet kaluan dhe motrat thonë se u ndjenë të braktisura nga sistemi, ndërsa frika dhe presioni i shtynë të tërhiqeshin nga jeta publike.
Në fillim të viteve 2000, ato tentuan sërish të flisnin përmes një reportazhi investigativ, por pretendimi i tyre është se pjesë të rëndësishme të dëshmisë nuk u publikuan. Vetëm pas akuzave të shumta që u rritën me kalimin e kohës dhe pas hetimeve të reja, çështja e Epstein mori përmasat që njohu bota, duke çuar në ndjekje penale dhe dënime për rrethin e tij.



