Vdekja e papritur e aktores së njohur turke, Ece Irtem, ka shkaktuar tronditje te familjarët, kolegët dhe adhuruesit e saj.
Irtem, e njohur për rolin e saj në serialin “Kizilcik Serbeti”, u gjet pa shenja jete në banesën e saj një ditë pasi festoi 35 vjetorin e lindjes. Pas ngjarjes, vëmendja është përqendruar te dëshmia e nënës së saj, Nuriye Irtem, e cila ka treguar në detaje momentet e fundit para tragjedisë.
Sipas deklaratës, nëna dhe vajza kishin kaluar mbrëmjen së bashku për të festuar ditëlindjen e Eces dhe më pas ishin kthyer në shtëpi.
Pas kthimit, aktorja ishte tërhequr në dhomën e saj për të pushuar, pasi kishte marrë ilaçet kundër depresionit, pasi kishte pirë edhe alkool.
Gjatë natës, nëna kishte dëgjuar se vajza ishte zgjuar për pak çaste, por më pas ishte kthyer sërish në gjumë.
Në deklaratën e saj, Nuriye Irtem u shpreh se në mëngjes thirri të bijën të zgjohej por nuk mori asnjë përgjigje.
“Kur hyra në dhomën e saj, pashë një lëng të keq që i dilte nga goja. Ajo piu shumë alkool dhe gjithashtu përdori ilaçe të forta kundër depresionit”, ka rrëfyer nëna e aktores së ndjerë.
Megjithatë, shkaku i vërtetë i vdekjes mbetet ende i paqartë. Autoritetet kanë nisur hetimet dhe pritet që rezultatet e autopsisë të japin përgjigje përfundimtare mbi rrethanat e ngjarjes.
Ndërkohë, lajmi për ndarjen e saj nga jeta ka prekur thellë botën e artit dhe publikun që e ndiqte prej vitesh në ekran.




