Ai duhej t’i ndiqte grabitësit. Por, në disa raste, grabitësi ishte vetë ai. André Stander ishte kapiten policie dhe detektiv në Afrikën e Jugut, por pas uniformës fshihte një jetë të dytë. Gjatë viteve ’70, ai nisi të grabiste banka, ndërsa vazhdonte punën si pjesë e policisë. Ajo që e bën historinë e tij edhe më të pazakontë është mënyra se si vepronte: Stander kryente grabitje edhe gjatë pushimit të drekës, më pas kthehej në punë dhe merrte pjesë në hetimin e krimit që sapo kishte kryer.
Mes viteve 1977 dhe 1980, ai besohet se grabiti afro 30 banka dhe përfitoi rreth 100 mijë randë apo rreth gjysmëmilioni euro. Përfundimisht u zbulua, u arrestua dhe u dënua me 75 vjet burg, megjithëse një pjesë e dënimeve u vuajtën njëkohësisht. Por burgu nuk ishte fundi i historisë. Në vitin 1983, Stander u arratis së bashku me të burgosurin Lee McCall. Më vonë, të dy ndihmuan në arratisjen e Allan Heyl. Treshja formoi atë që mediat e emërtuan “Stander Gang” dhe nisi një seri të re grabitjesh bankash.
Më 19 janar 1984, banda grabiti tri banka në qendër të Johannesburgut për më pak se një orë. Vetëm disa ditë më vonë, McCall u vra gjatë një bastisjeje policore. Heyl u arratis drejt Evropës, ndërsa Stander iku në Shtetet e Bashkuara. Edhe atje, arratisja e tij nuk zgjati shumë.
Më 13 shkurt 1984, Stander u përball me një polic amerikan dhe gjatë përleshjes për armën e zyrtarit u qëllua. Ai vdiq në vendngjarje, në moshën 37-vjeçare. Historia e policit që u kthye në grabitës bankash ishte aq e pazakontë sa vite më vonë u shndërrua edhe në film. Në vitin 2003 u publikua filmi “Stander”, me aktorin Thomas Jane në rolin kryesor. Një karrierë që nisi me uniformën e policit përfundoi me të në arrati dhe nën ndjekjen e policisë – një prej historive më të pazakonta kriminale të Afrikës së Jugut.



