Një qytetar në Tarnów të Polonisë, është bërë viral për një arsye jo fort të zakonshme, i janë dashur plot 139 tentativa për të kaluar testin teorik të patentës.

Ashtu si në shumë vende europiane, kandidatët duhet të kalojnë fillimisht një test teorik në kompjuter përpara se të lejohen të japin provimin praktik të drejtimit të mjetit. Nëse nuk e kalon teorinë, nuk mund të hysh fare në timon për testin praktik. Shumica e njerëzve e kalojnë këtë fazë nga 1 deri në 3 tentativa, por ka edhe raste ekstreme që zgjasin me vite.

Së fundmi, Qendra Rajonale e Trafikut Rrugor në Tarnów bëri të ditur se një qytetar arriti më në fund të kalojë testin teorik pas 139 përpjekjesh. Ai kishte nisur që në vitin 2017 dhe kishte shpenzuar rreth 1,800 euro vetëm për tarifat e provimeve.

“Ky person nuk hoqi dorë kurrë nga provimi. Kjo tregon sa e rëndësishme është për të marrja e patentës,” u shpreh drejtori i qendrës, Paweł Gurgul.

Sipas Gurgul, një nga arsyet pse kandidati kishte dështuar kaq shumë herë lidhej me mënyrën e përgatitjes. Ai kishte përdorur një version “demo” të testeve përgatitore, i cili nuk përfshinte të gjitha pyetjet e mundshme.

“Pasi filloi të përdorte versionin e plotë të programit, me të gjitha pyetjet, rezultatet u përmirësuan ndjeshëm, derisa më në fund arriti ta kalojë,” shtoi ai.

Edhe pse 139 tentativa duken shumë, ky nuk është rekordi absolut në Poloni. Mediat lokale raportojnë se një tjetër kandidat nga Piotrków Trybunalski i janë dashur plot 17 vite dhe 163 tentativa për të kaluar testin teorik