Kanë nisur homazhet për 32-vjeçaren britanike e cila vdiq tragjikisht në gjumë, teksa po kalonte pushimet në Madrid.

“Daily Mail” shkruan se Lydia Williams është përshkruar si ‘e bukur dhe e patrembur’ nga miqtë e saj. Ndërsa familja e saj me zemër të thyer ka bërë një deklaratë prekëse:

“Jemi jashtëzakonisht krenarë për atë që u bë vajza jonë e vogël me buzëqeshjen rrezatuese. Ajo arriti kaq shumë, deshi kaq thellë dhe e la botën më të mirë sa e gjeti”.

Turistja e re, me origjinë nga Caerphilly, Uells, kishte udhëtuar nëpër botë me bashkëshortin e saj, Ed, kur ndërroi jetë ‘paqësisht në gjumë’ në një spital në kryeqytetin spanjoll.

Nëna e Lydias, Nicole Howells, është shprehur:

“Vajza ime e bukur, e jashtëzakonshme, e kujdesshme, thjesht një në një milion, Lydia vdiq paqësisht në gjumë. Ajo përmbushi një jetë në 32 vjet, që vetëm disa prej nesh mund ta ëndërrojnë ndonjëherë.

Si nënë, nuk mund të isha më krenare për gjithçka që ajo arriti dhe për mënyrën se si krijoi një jetë ëndrrash, nëpërmjet vendosmërisë dhe pasionit të saj për jetën.

Të qenit pranë saj e bënte jetën më të veçantë dhe emocionuese. Ajo ishte një vajzë e vogël me shkëlqimin më të ndritshëm, i cili nuk u zbeh kurrë në moshë madhore.

Jo vetëm që ishte e bukur, por kishte edhe sensin më të mirë të humorit dhe i mbronte me pasion të gjithë ata për të cilët kujdesej”.

E ëma tregoi më pas se e bija kishte planifikuar që të kthehej në shtëpi për Krishtlindje, por jeta e saj ishte ‘prerë mizorisht’.

“Dhimbja është e padurueshme, por do të jem përgjithmonë krenare për gjithçka që arriti në jetën e saj në një kohë kaq të shkurtër”, vijoi ajo.

Lydia – një punonjëse promovuese – kishte jetuar në New Hampshire, SHBA, me burrin e saj dhe dy macet e tyre, për shtatë vitet e fundit para se të ndodhte tragjedia.

Britania u përshkrua si një udhëtare e zellshme që kishte bërë disa miq në të gjithë globin.

“Njerëzit më kanë shkruar për të më thënë se e takuan Lydian rastësisht – në tren ose në radhë – dhe ajo u bë pjesë e jetës së tyre që nga ai moment e tutje. Ajo u dha njerëzve forcë dhe ngushëllim në kohët e tyre më të errëta, edhe nëse nuk i kishte takuar kurrë personalisht”, ka treguar nëna e 32-vjeçares së ndjerë.

Ndërkohë një mik komentoi: “Miqësia e saj do të thoshte më shumë se gjithçka. Ishte një dashuri më e fuqishme se çdo gjë. Ajo na bëri të gjithëve të ndihemi të sigurt dhe të dashur”.