Një ngjarje e rëndë ka tronditur Rusinë, ku një biznesmen i pasur i sektorit të ndërtimit është arrestuar, ndërsa një modele dhe aktore 33-vjeçare po lufton për jetën në spital pas një sulmi të dhunshëm. Autoritetet bëjnë me dije se Dmitry Kuzmin, 42 vjeç, akuzohet për shkaktim të dëmtimeve të rënda trupore ndaj Anzhelika Tartanova, pas një marrëdhënieje gjashtëmujore që dyshohet se kishte përfunduar në konflikt.

Sipas hetimeve paraprake, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pasi Tartanova kishte shprehur dëshirën për t’i dhënë fund lidhjes. Të afërm dhe miq të saj kanë deklaruar se marrëdhënia ishte bërë gjithnjë e më e kontrolluar dhe se biznesmeni e kishte izoluar nga familja, përfshirë djalin e saj 16-vjeçar dhe motrën.

Modelja u gjet në gjendje kritike me plagë të rënda në kokë dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje urgjente në tru. Ajo ndodhet e shtruar në spitalin Pirogov në Moskë, është e vetëdijshme, por me vështirësi të mëdha në komunikim, sipas mjekëve.

Raportimet tregojnë se ajo dyshohet të jetë sulmuar në një apartament dhe më pas është lënë në rrugë, ku u shpëtua falë ndërhyrjes së një kalimtari që njoftoi ambulancën. Hetuesit po verifikojnë gjithashtu pretendimet se, pas ngjarjes, i dyshuari ka përdorur telefonin e saj për të dërguar mesazhe, duke u shtirur sikur ajo ishte mirë.

Kuzmin është paraqitur në gjykatë dhe është mbajtur në paraburgim, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.