Bebe Rexha ka treguar edhe një herë lidhjen e saj të fortë me kulturën shqiptare, këtë herë përmes kuzhinës tradicionale.

Gjatë një interviste për emisionin e njohur amerikan “Today”, këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare foli për prejardhjen e saj, muzikën dhe jetën përtej skenës, duke ndarë edhe disa detaje për ushqimet tradicionale që di të përgatisë.

E pyetur për pasionin e saj për gatimin, Bebe tregoi se në kuzhinën e saj nuk mungojnë gatimet me të cilat është rritur dhe që lidhen me traditën shqiptare.

Ajo përmendi ndër të tjera groshën dhe specat me ajkë, duke treguar se ruan një pjesë të trashëgimisë së saj edhe përmes ushqimit.

Për Beben, lidhja me Shqipërinë nuk është shfaqur vetëm në kuzhinë. Ajo ka folur edhe për mënyrën se si përpiqet ta përfshijë trashëgiminë shqiptare në muzikën e saj, përfshirë këngën “Çike Çike”.

Këngëtarja ka treguar vazhdimisht se kultura shqiptare mbetet pjesë e rëndësishme e identitetit të saj.

Kjo u pa edhe së fundmi në festimet familjare, ku Bebe iu bashkua valleve shqiptare dhe atmosferës së një dasme tradicionale, duke kërcyer së bashku me të ftuarat nën ritmet e muzikës popullore shqiptare.

Përmes muzikës, gatimit dhe momenteve familjare, Rexha vazhdon ta mbajë të pranishme prejardhjen e saj shqiptare, edhe pse karriera e saj është zhvilluar prej vitesh në skenën ndërkombëtare.