Alis Kallaci ka përmbyllur aventurën e tij në “Eurovision Song Contest 2026” duke u renditur në vendin e 13-të me këngën “Nan”, një performancë që u prit me shumë emocione nga publiku shqiptar dhe ai europian.
Këngëtari arriti të tërhiqte vëmendje gjatë gjithë kompeticionit me interpretimin e tij emocional, ndërsa gjatë javëve të Eurovisionit mori mbështetje të madhe nga fansat dhe ndjekësit në rrjetet sociale.
Pas finales, artisti i ri ka reaguar me një mesazh prekës në Instagram, ku falënderoi të gjithë ata që e mbështetën në këtë eksperiencë të rëndësishme për karrierën e tij.
“Kur nisi gjithçka, mu duk si diçka shumë më e madhe se vetja ime”, shkroi ai, duke treguar emocionet dhe pasiguritë që kishte ndjerë si një artist i ri në një skenë kaq të madhe ndërkombëtare.
Këngëtari theksoi se forca më e madhe gjatë këtij rrugëtimi kanë qenë publiku, votat dhe mesazhet mbështetëse që mori nga shqiptarët.
Ai u shpreh se kjo eksperiencë do të mbetet gjithmonë në zemrën e tij dhe se ka mësuar shumë jo vetëm artistikisht, por edhe emocionalisht.
Postimi i tij është shpërndarë gjerësisht në rrjet, ku shumë ndjekës e kanë përgëzuar për përfaqësimin dinjitoz të Shqipërisë në Eurovision.

Postimi i plotë:
Kur nisi gjithcka, mu duk si dicka shume me e madhe se vetja ime dhe shpesh mendoja me vete nese do arrija ta realizoja tamam ashtu sic e kisha enderruar. Sidomos si nje artist i ri, pa shume eksperience ne nje skene kaq te madhe si Eurovisioni, ku nuk mban vetem emrin tend, por edhe peshen dhe krenarine e perfaqesimit te nje shteti te tere.
Por gjate gjithe ketij rrugetimi, ajo qe me ka dhene me shume force keni qene ju. Mbështetja, dashuria, votat, mesazhet dhe fjalet tuaja kane pasur nje vlere qe nuk di ta shpjegoj me fjale. Ne cdo moment kam ndjere qe nuk isha vetem dhe kjo eshte ndjesia me e bukur qe mund te marre nje artist.
Faleminderit secilit prej jush qe besoi tek une dhe tek muzika ime. Faleminderit qe me keni bere te ndihem krenar ne cdo hap te ketij udhetimi dhe qe ma keni kthyer kete eksperience ne dicka qe do ta mbaj gjithmone ne zemer.
Kam mesuar shume nga ky rrugetim, kam perjetuar emocione qe nuk harrohen dhe mbi te gjitha kam kuptuar sa e forte eshte ndjenja kur ke njerez qe te mbeshtesin me gjithe zemer.
Ky rrugetim nuk do kishte te njejtin kuptim pa ju. ❤️🥃
