Danny Pintauro, aktori i njohur i serialit të famshëm të viteve ’80 “Who’s the Boss?”, ka treguar se sot punon si shpërndarës pakosh për Amazon Flex, pasi të ardhurat nga fama e dikurshme nuk i mjaftuan për të siguruar jetën. Aktori, i cili interpretoi për tetë sezone personazhin Jonathan Bower krah emrave të njohur si Tony Danza dhe Alyssa Milano, deklaroi në një intervistë për Fox News se realiteti financiar i shumë yjeve të dikurshëm është krejt ndryshe nga ajo që publiku imagjinon.

Sot, në moshën 50-vjeçare, ai punon si shofer i pavarur duke shpërndarë pakot e Amazon me makinën e tij private, ndërsa vazhdon të ndjekë audicionet për role të reja. Pintauro shpjegoi se kontratat e viteve ’80 nuk parashikonin fitime të mëdha nga platformat moderne apo transmetimet streaming, ndaj të ardhurat nga ripërsëritjet e serialit janë minimale.

Sipas tij, për disa episode fiton vetëm pak cent, ndërsa pjesa më e madhe e parave që kishte fituar në kulmin e famës u përdor për studimet në Universitetin prestigjioz Stanford. Aktori tha se nuk e konsideron këtë një dështim, por një realitet të ri, duke theksuar se puna e zakonshme i jep fleksibilitet dhe mundësinë për të vazhduar ëndrrën në aktrim.