Nusret Gokçe është një nga shefat më të famshëm në botë, i cili u bë i njohur me restorantin e tij luksoz “Salt Bae”, të cilin e kishte në disa shtete të ndryshme.

Teksa mori vëmendje të madhe dhe u vizitua edhe nga shumë personazhe të famshëm si David Beckham e Cristiano Ronaldo, duket se “Salt Bae” ka regjistruar një humbje prej 6.38 milionë euro gjatë vitit 2024.

Ndërkohë që restoranti i tij kryesor në Londër ka sjellë të ardhura mbi 10 milionë paund, humbja e madhe vjen si rezultat i rivlerësimit të aseteve të kompanisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke çuar në një zhvlerësim prej afërsisht 6 milionë paund.

Dega amerikane është në pronësi të plotë të kompanisë britanike të “Salt Bae,” çka e bëri ndikimin direkt në bilancin financiar të grupit.

Në kulmin e zgjerimit të saj, rrjeti Nusr-Et kishte shtatë restorante në SHBA, por shumë prej tyre tashmë janë mbyllur, përfshirë lokalet në Beverly Hills, Las Vegas dhe New York.

Aktualisht, në SHBA kanë mbetur vetëm dy pika, ndërsa kompania ka zhvendosur fokusin e saj në tregje të tjera ndërkombëtare, si Mexico City dhe Ibiza.

Por pavarësisht humbjeve, “Salt Bae” mban ende një pasuri të konsiderueshme personale prej rreth 50 milionë euro, ndërsa restoranti ofron ende çmime marramendëse, si bifteku “Giant Tomahawk” me vlerë 630 paund, apo mishi Wagyu me çmim 1.15 euro për gram.

Megjithatë, pavarësisht famës dhe klientelës VIP, restoranti vlerësohet vetëm me 2.9 nga 5 yje në “TripAdvisor”, duke dëshmuar një hendek mes imazhit luksoz dhe përvojës reale të klientëve.