Modelja franceze, Thylane Blondeau, e njohur që në fëmijëri si vajza më e bukur në botë, ka reaguar ndaj akuzave për ndërhyrje estetike duke theksuar se bukuria e saj është natyrale. Në rrjetet sociale, 24-vjeçarja u shpreh se është lodhur nga komentet për pamjen dhe ftoi ndjekësit të shohin fotot e fëmijërisë për të parë se nuk ka ndryshuar.
Thylane, vajza e ish-futbollistit Patrick Blondeau dhe prezantueses Veronique Loubry, nisi karrierën në moshën katërvjeçare. Më pas ajo sfiloi për marka të njohura si Dolce&Gabbana, Versace dhe Hugo Boss, si dhe u bë ambasadore e L’Oreal Paris.
Në vitin 2020, modelja iu nënshtrua një operacioni urgjent për një kist në vezore, për të cilin më vonë tregoi publikisht, duke falënderuar fansat për mbështetjen. Sot, Thylane vazhdon të jetë një nga figurat më të kërkuara në industrinë e modës.
Ajo u shfaq së fundmi në Javën e Modës në Paris, ndërsa përshkruan stilin e saj si të thjeshtë dhe të rehatshëm, duke këshilluar të rinjtë që të investojnë në veshje bazike si xhinset dhe bluzat pa mëngë.