Reperi i njohur amerikan Eminem ka hapur një betejë ligjore kundër një kompanie australiane të veshjeve të plazhit, e cila mban emrin “Swim Shady”, duke pretenduar se marka po luan me famën dhe reputacionin e pseudonimit të tij të njohur, Slim Shady. Në shtator, Eminem, emri i vërtetë i të cilit është Marshall B. Mathers III, paraqiti një peticion në Zyrën e Patentave dhe Markave Tregtare të SHBA-së, duke kërkuar anulimin e markës tregtare të miratuar për kompaninë “Swim Shady”.
Sipas ligjit amerikan, kompania duhet të përgjigjet ndaj këtij peticioni deri javën e ardhshme. Avokatët e reperit 53-vjeçar e akuzojnë markën me seli në Sydney se ka krijuar një “shoqërim të rremë” me Eminem dhe identitetin e tij artistik. Kompania australiane, nga ana tjetër, i ka qëndruar fort pozicionit të saj. Në një deklaratë për BBC-në, “Swim Shady” u shpreh se do të “mbrojë pronën tonë të vlefshme intelektuale”, duke lënë të kuptohet se nuk ka ndërmend të tërhiqet lehtë nga kjo përballje.
Emri i kompanisë u regjistrua në shtator 2023, fillimisht si “Slim Shade”, sipas rregullatorit të biznesit në Australi, ndërsa u lançua zyrtarisht në vitin 2024. Marka shet çadra portative plazhi, çanta noti dhe aksesorë të tjerë për plazh. Më herët këtë vit, kompania aplikoi për regjistrimin e markës tregtare “Swim Shady” në SHBA, kërkesë që u miratua, por menjëherë më pas ekipi ligjor i Eminem paraqiti kërkesë për anulimin e saj.
Përveç SHBA-së, reperi ka hapur edhe një padi në Australi kundër përdorimit të emrit të markës. “Swim Shady” e përshkruan veten si një kompani “me origjinë nga baza”, e lindur nga dëshira për të prodhuar syze dielli dhe artikuj të tjerë mbrojtës ndaj diellit të fortë australian, duke shtuar se nuk mund të japë më shumë detaje për shkak të procesit gjyqësor në zhvillim.
Dokumentet gjyqësore tregojnë se Eminem e ka regjistruar emrin Slim Shady si markë tregtare në SHBA që në vitin 1999, me daljen e albumit me të njëjtin titull. Megjithatë, në Australi ai ka aplikuar për regjistrim të markës Slim Shady vetëm në janar 2025. Avokatët e tij theksojnë se emri është bërë “i veçantë dhe i famshëm” dhe lidhet ngushtë me karrierën e tij në rep, sidomos pas suksesit global të këngës “The Real Slim Shady”, e cila në vitin 2000 i solli një çmim Grammy për performancën më të mirë solo repi.
Në anën tjetër, kompania “Swim Shady” përfaqësohet nga firma e specializuar në të drejtën e pronësisë intelektuale Meyer West IP, me seli në Sydney. Rasti ka rikthyer në vëmendje edhe përplasjen e bujshme ligjore të vitit të kaluar në Australi, ku stilistja Katie Perry fitoi betejën ndaj yllit të popit Katy Perry, duke e akuzuar atë për shkelje të markës tregtare gjatë shitjes së produkteve në turneun e saj australian në 2014. Edhe atëherë, çështja u përshkrua si një përballje “David kundër Goliath”, një krahasim që mund të përsëritet edhe në sagën e re “Slim Shady” kundër “Swim Shady”.




