Një tendencë e çuditshme po raportohet nga banorët e Londrës: hajdutët e rrugës po tregohen “selektivë” me telefonat që vjedhin dhe shpesh po refuzojnë Android, veçanërisht Samsung.
Sam, i cili po kalonte pranë një depoje të Royal Mail në jug të Londrës në janar, u rrethua nga tetë burra, të cilët e shtynë, e rrahën dhe i kërkuan të dorëzonte gjithçka kishte me vete.
Ata i morën telefonin, kamerën dhe madje edhe kapelën. Por, teksa po largoheshin, njëri prej tyre u kthye, ia ktheu telefonin Android dhe i tha shkurt:
Nuk duam Samsung.
Rasti i tij nuk është i vetmi. Londinezë të tjerë kanë treguar shembuj të ngjashëm, ku grabitësit refuzojnë Android dhe kërkojnë vetëm iPhone. Mark, i cili po qëndronte jashtë punës së tij në Hackney, tregon se një hajdut me e-bike i rrëmbeu telefonin Galaxy nga dora, por vetëm pak çaste më vonë e hodhi përsëri në tokë dhe iku.
Nuk u dëmtua, por ndjeva sikur më refuzuan telefonin
-thotë ai me ironi.
Ekspertët thonë se arsyeja nuk lidhet me sigurinë e pajisjeve. Si Android ashtu edhe Apple kanë sisteme të ngjashme sigurie, që e bëjnë të vështirë hapjen e telefonave të bllokuar.
Shkaku kryesor është vlera më e lartë tregtare e iPhone-ve në tregun e pajisjeve të përdorura dhe atë të zi. Thjesht, një iPhone i vjedhur shitet më shtrenjtë dhe më shpejt se shumë modele Android.
Policia Metropolitane dhe Policia e Qytetit të Londrës po hetojnë bandat e organizuara që merren me vjedhje telefonash, por deri tani nuk ka statistika zyrtare për raportin mes iPhone-ve dhe Android-eve të vjedhura.
Megjithatë, dëshmitë e qytetarëve tregojnë një prirje të qartë në favor të produkteve Apple.
Në disa raste, situata merr edhe nota komike. Simon, një tjetër banor i Londrës, rrëfen se një djalë iu afrua sikur donte t’i tregonte diçka në Spotify, por sapo pa se ai përdorte Samsung, humbi interesin dhe u largua.
Siç duket, në rrugët e kryeqytetit britanik, të kesh “telefonin e gabuar” mund të jetë, paradoksalisht, një nga mbrojtjet e tua më të mira ndaj grabitësve.
