Një lajm i rremë që ka qarkulluar në rrjetet sociale duket se është kthyer në ‘mollë sherri’ mes dy këngëtarëve të njohur, Gjergj Leka dhe Çiljeta Xhilaga.
Gjithçka nisi me një foto montazh të shpërndarë masivisht në rrjet, përmes së cilit pretendohej se Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, kishte dekoruar Çiljetën me titullin ‘Mjeshtre e Madhe e Punës’.
Edhe pse është një montazh satirik, mesa duket jo të gjithë e kanë kuptuar këtë dhe kanë nisur komentet e shumta. E vëmendjen më të madhe e mori pikërisht komenti ironik i kompozitorit Gjergj Leka, i cili e cilësoi këtë si ‘sarkazmën e vitit’.
Në komentin e tij dikush kujtoi një nga tekstet e Xhilagës: “Heu se kam b…. e mirë” dhe Leka e vijon duke shkruar:
“Në qoftë se nuk është humor, do të ishte dita më e turpshme e presidentit shqiptar”.
Këto komente nuk kanë kaluar pa u vënë re nga protagonistja e këtij postimi, e cila ka vendosur që t’i kthejë përgjigje. Çiljeta sqaroi se nuk ishte lajm i vërtetë dhe se nuk kishte marrë asnjë dekoratë.
Gjithashtu ajo kritikoi reagimin e Gjergj Lekës, duke shtuar më pas angazhimin e saj ndër vite në muzikë, prezantim dhe aktrim.
“Qetësohu Gjergj, mik i dajës tim Orhan Zeneli, është thjesht një lajm i rremë. S’kam marrë asnjë dekoratë, por është e turpshme se si një artist si ty mund të shprehet në këtë formë me kaq mllef. Mirë komentuesit e thjeshtë që ju ka zënë zmera merimanga mllefi prej viteshpor të shprehesh ti është e turpshme.
Për çfarë kam kontribuar unë prej vitit 2000 e deri sot ka pak rëndësi për mua se sa vlerësohet. Edhe 41 vjeç sot dhe pa bërë këngë të reja prej vitesh edhe me 10 kilogramë më tepër në trup prap “full” e mbushur kur këndoj në koncert. Por për mua rëndësi ka që kam plotësuar ëndrrat e mia duke kënduar, prezantuar apo edhe aktruar se sa opinion i disave, dhe faleminderit Zotit që s’kam ego të errët që të arrij të nxjerr mllef për të tjerët. Qofsh mirë Gjergj, ndaj Zoti disa njerëz i ka lënë në hije se siç kanë shpirtin ja u jep edhe jetën.
Shëndet paç dhe uroj të të vijë pak turp nga vetja brenda ndërgjegjes tënde egoiste të errët që një shpirti artistik nuk i rri”, shkroi këngëtarja e njohur.
Replika e Çiljetës u pasua menjëherë nga një tjetër reagim i kompozitorit, i cili shprehet se e vlerëson atë si person, por jo për kontributin që ajo ka dhënë në artin shqiptar.
“Të vlerësoj për vajzën që je, por jo për çfarë ke dhënë për artin shqiptar. Janë dy anë të ndryshme të medaljes. Më bëhet zemra mal kur shoh që kohët e fundit jeta jote dhe shijet e tua muzikore kanë ndryshuar. Të uroj jetë e muzikë me vlera. P.S. Përsa i përket turpit që duhet të kem unë, e thënë nga ti më bën të qesh…”, shkroi Leka.
Ky debat publik mes Çiljeta Xhilagës dhe Gjergj Lekës ka tërhequr vëmendjen në rrjetet sociale, me ndjekësit që kanë shfaqur qëndrime të ndryshme për deklaratat dhe replikat e dy artistëve.




