DJ i njohur i skenës së natës në Ibiza, Hugo Bianco, është përfshirë në një çështje të madhe ndërkombëtare të trafikut të drogës mes Spanjës dhe Shteteve të Bashkuara. Autoritetet spanjolle e konsiderojnë atë si “trurin” e një organizate kriminale që dyshohet se operonte mes Ibizës, Barcelonës dhe Majamit. Sipas vendimit të Gjykatës së Lartë të Drejtësisë së Ishujve Balearikë, ndaj Biancos është konfirmuar një dënim me 9 vite e 6 muaj burg, si dhe një gjobë prej 3 milionë eurosh.

Hetimi, i njohur si Operacioni Pertinax, u zhvillua në bashkëpunim mes Guardia Civil të Spanjës dhe Homeland Security Investigations (HSI) të SHBA-së. Sipas autoriteteve, Hugo Bianco dyshohet se siguronte mbështetje logjistike për rrjetin kriminal, duke ndihmuar korrierët që transportonin drogë mes Evropës dhe SHBA-së, si edhe në magazinimin dhe shpërndarjen e sasive të konsiderueshme të MDMA-së, kokainës, ketaminës dhe kanabisit në Ishujt Balearikë gjatë periudhës shtator 2019-gusht 2020.

Në vitin 2020, gjatë operacionit, u arrestuan 21 persona në Ibiza, Barcelonë dhe Girona, përfshirë edhe Bianco në banesën e tij në Jesús, Santa Eulària des Riu, Ibiza. Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi 38 kilogramë kanabis, 4,500 bimë kanabisi, 8 kilogramë drogë sintetike dhe 45 mijë euro para në dorë. Paralelisht, në Majami, autoritetet amerikane arrestuan tre persona dhe konfiskuan 15 kilogramë pilula MDMA dhe 14 kilogramë ketaminë të lëngshme. Sipas mediave spanjolle, Hugo Bianco besohet se aktualisht ndodhet në shtetin e Floridës, ku është shpallur i arratisur nga drejtësia, së bashku me dy të pandehur të tjerë që nuk iu janë përgjigjur thirrjeve të gjykatës.