Influencuesja Emilie Kiser është rikthyer në TikTok, katër muaj pas humbjes tragjike të djalit të saj trevjeçar, Trigg, i cili u mbyt në pishinën e familjes në maj.
“Përshëndetje, nuk di as si ta nis këtë video”, tha 26-vjeçarja në postimin e saj të parë pas një kohe të gjatë. “Ka kaluar një periudhë e gjatë që nuk kam qenë këtu dhe, sinqerisht, jam shumë nervoze. Nuk mendoj se ka një mënyrë të saktë për ta bërë këtë, por po përpiqem.”
Që nga momenti i tragjedisë, Kiser kishte qëndruar larg rrjeteve sociale dhe vetëm tani vendosi të ndajë disa fjalë me ndjekësit. Ajo tha se i kishte munguar komunikimi i përditshëm me komunitetin e saj dhe se shpresonte të rilidhej me të, duke ndihmuar edhe njerëzit që mund të përjetojnë dhimbje të ngjashme.
Duke mbajtur një gjerdan me emrin e Trigg, ajo theksoi: “Po përpiqem çdo ditë të gjej kuptim, ta përballoj hap pas hapi. Kjo është ajo që do të bëj edhe me përmbajtjen time. Nuk do të shtirem sikur gjithçka është në rregull. Për mua kjo është një formë terapie.”
Kiser pranoi se nuk e di ende se sa shumë është gati të ndajë me publikun, por premtoi se do të jetë e sinqertë për udhëtimin e saj personal. “Nëse dikush po kalon një dhimbje të ngjashme, dua të dijë se nuk është vetëm. E kuptoj sa e vështirë është dhe jam këtu me gjithë dashurinë time.”
Tragedia ndodhi më 18 maj në Arizona, kur Trigg u gjet i pavetëdijshëm në pishinën e familjes nga bashkëshorti i saj, Brady Kiser. Sipas raportit të policisë, fëmija kishte mbetur pa mbikëqyrje për më shumë se nëntë minuta dhe kishte kaluar rreth shtatë minuta në ujë. Ai u dërgua menjëherë në spital, por nuk arriti të mbijetonte.
Në atë kohë, Brady ishte në shtëpi me Trigg dhe djalin tjetër gjashtëmuajsh, Theodore. Hetimet zbuluan se ai kishte vendosur një bast sportiv vetëm pak më shumë se një orë para aksidentit fatal.
Pas ngjarjes, Emilie Kiser ka paraqitur një kërkesë ligjore për të mbajtur konfidenciale detajet e hetimit dhe vdekjes së djalit të saj.