Një zgjidhje e papritur ka ardhur nga India për një problem që prej vitesh sfidon autoritetet kolumbiane: shtimi i pakontrolluar i hipopotamëve që dikur i përkisnin Pablo Escobarit. Anant Ambani, djali i biznesmenit të njohur Mukesh Ambani, ka ofruar të marrë përsipër zhvendosjen dhe kujdesin për këto kafshë në parkun zoologjik privat “Vantara”, që ndodhet në Gujarat.

Historia e këtij fenomeni nis në vitet ’80, kur Escobar solli në mënyrë të paligjshme disa kafshë ekzotike në pronën e tij, mes tyre edhe hipopotamë. Pas vdekjes së tij në vitin 1993, kafshët mbetën të lira dhe u shumuan me ritme të shpejta.

Sot, numri i tyre ka kaluar mbi 100 individë, duke u kthyer në një specie invazive që përbën rrezik për ekosistemin dhe banorët e zonave përreth. Ambani është shprehur i gatshëm t’i transferojë në Indi, ku sipas tij do të jetonin në një mjedis të kontrolluar dhe me standarde të larta kujdesi. Megjithatë, deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga autoritetet kolumbiane, të cilat po shqyrtojnë alternativa të ndryshme për menaxhimin e situatës, përfshirë sterilizimin dhe zhvendosjen e tyre.