Një nënë britanike ka nisur një betejë ligjore kundër TikTok-ut, duke e akuzuar se i ka mohuar aksesin në të dhënat e llogarisë së të birit 14-vjeçar, i cili humbi jetën në rrethana të paqarta. Ajo paralajmëron prindërit në mbarë botën për rreziqet që, sipas saj, fshihen pas sfidave të rrezikshme në rrjetet sociale.
Ellen Roome beson se djali i saj, Julian Jools Sweeney, mund të ketë humbur jetën pasi një sfidë në rrjetet sociale shkoi keq. Ajo është një nga pesë familjet britanike që kanë ngritur padi kundër TikTok, duke e cilësuar çështjen si një rast historik për përgjegjësinë e platformave digjitale ndaj fëmijëve.
Në një intervistë, Roome shprehet se është e pakuptimtë që duhet të ndjekë rrugë ligjore jashtë Britanisë për të marrë informacion mbi aktivitetin online të djalit të saj. Sipas saj, refuzimi i TikTok për të dhënë të dhënat ngre dyshime serioze. Ajo thotë se, nëse platforma nuk ka asgjë për të fshehur, duhet t’u japë prindërve informacionin që mund t’i ndihmojë të kuptojnë çfarë ndodhi realisht.
Djalli i saj u gjet pa ndjenja në dhomën e gjumit në prill të vitit 2022. Një hetim zyrtar më vonë arriti në përfundimin se ai kishte humbur jetën në rrethana tragjike, pa qenë e qartë nëse kishte pasur qëllim të vetëdijshëm.
Padia përfshin edhe raste të tjera të fëmijëve që dyshohet se kanë humbur jetën gjatë përpjekjes për të ndjekur një sfidë të rrezikshme të njohur si blackout challenge, e cila nxit sjellje jashtëzakonisht të rrezikshme. TikTok ka deklaruar se kjo sfidë është e ndaluar në platformë prej vitesh dhe se kompania respekton ligjet e mbrojtjes së të dhënave.
Paralelisht me padinë në Shtetet e Bashkuara, Roome po lobon edhe në Britani për një nismë ligjore të quajtur Jools’ Law, e cila kërkon që të dhënat online të një fëmije të ruhen automatikisht në rast vdekjeje, në mënyrë që të shërbejnë si provë për familjet dhe autoritetet.





