Pas grabitjes tronditëse të bizhuterive të kurorës franceze në Muzeun e Luvrit, vëmendja e mediave dhe rrjeteve sociale nuk u përqendrua vetëm te hetimet, por te një djalosh i veshur me kostum dhe kapele, të cilin interneti e pagëzoi menjëherë si “detektivin francez”. Bëhet fjalë për Pedro Elias Garzon Delvaux, një 15-vjeçar nga Rambujeja (Rambouillet), i cili pa e ditur u fotografua nga një fotoreporter i AP ndërsa vizitonte Luvrin me nënën dhe gjyshin e tij në datën 19 tetor, ditën kur muzeu ishte mbyllur për shkak të grabitjes së objekteve të rralla, me vlerë 88 milionë euro.
Fotografia e tij u bë virale në TikTok, ku videon e parë që e përfshinte e panë gati 6 milionë njerëz. “Ishte shumë qesharake”, tregon Pedro. “U kthyem në Luvër vetëm që të shihnim reagimin e njerëzve. Ndoshta më njohën, por nuk jam i sigurt”. Ndryshe nga sa menduan shumë përdorues online, veshja e Pedro-s nuk ishte një kostum i improvizuar, por stili i tij i përditshëm. I pasionuar pas historisë, veçanërisht shekullit XX, ai ka pothuajse një vit që adoptuar modën e viteve ’40. Hobi i tij nisi pasi u vesh si Jean Moulin, heroi i Rezistencës Franceze, gjatë karnavaleve.
Stili i rafinuar është i rrënjosur në familjen Garzon Delvaux. Nëna e tij, e rritur mes muzeve dhe letërsisë, thotë se bukuria dhe estetika kanë qenë gjithmonë pjesë e jetës së tyre. Familja ka jetuar në disa vende për shkak të punës së babait si diplomat, që i ka dhënë Pedro-s mundësi të mbledhë objekte unike, si ora e tij sovjetike e blerë në Kalkutë dhe rregulluar me pjesë të sjella nga Bullgaria.
Veshja e tij e parë e qepur me porosi u realizua në Bangladesh, kur ai ishte vetëm 12 vjeç. Sa i përket së ardhmes, Pedro sheh veten ose në diplomaci, si babai dhe gjyshi, ose në ushtri, ndoshta edhe për shkak të uniformave, pranon ai me humor. Dhe pavarësisht veshjeve klasike, ai mbetet një adoleshent i sotëm. “Po, mendoj se kam shumë vëmendje rreth meje”, thotë me vetëbesim kur pyetet nëse shokët e vlerësojnë stilin e tij.




