Tre vjet duken një kohë shumë, shumë e gjatë. Schalke 04 u kthye në Bundesligë. Skuadra kishte rënë në Divizionin e dytë në sezonin 2022-23 pasi u rendit në vendin e 17 dhe tani pas 3 sezonesh kthehet në elitën e futbollit gjerman. Mes heronjve të kësaj skuadre është edhe portieri Loris Karius, bashkëshorti i gazetares së njohur sportive italiane, Diletta Leotta.
I kritikuar shumë ashpër për disa gafa të tij në të kaluarën (sidomos ato në finalen e Ligës së Kampioneve të vitit 2018), tani Karius është një pikë referimi për ekipin. Duke parë vlerësimin sezonal të revistës ‘Kicker’, është pikërisht portieri futbollisti më i mirë i skuadrës, një ndër lojtarët më të mirë të gjithë kampionatit dhe kështu tani që është rreth 33 vjeç e ka ndryshuar tërësisht imazhin e tij duke marrë edhe një dedikim special nga gjysma e tij e ëmbël, Diletta Leotta.
Loris Karius u transferua te Schalke në janar të 2025 dhe në fillim të sezonit u bë titullar i skuadrës. Në muajin nëntor, tifozët që u shfaqën shumë skeptikë për ardhjen e tij, e votuan si lojtarin më të mirë të muajit. Schalke 04 është në krye të renditjes falë edhe Karius që në 12 ndeshje e ka mbajtur portën të paprekur duke ndihmuar skuadrën të ketë mbrojtjen më të mirë të turneut. Në ndeshjen vendimtare me Dusseldorf nuk pati shumë punë, por gjithnjë është shfaqur i sigurt. Në janar-shkurt, në momentin më të vështirë të Schalke arriti ta shpëtojë duke bërë pritje të rëndësishme, sidomos ato në transfertën e Berlinit kundër Herthas

Dhe në mesnatën mes të shtunës dhe të dielës, Diletta Leotta që është në pritje të fëmijës së dytë me Karius, vendosi t’i dedikojë një mesazh bashkëshortit të saj në rrjetet sociale. Gazetarja postoi foto të çiftit, familjes dhe të vetë portierit të Schalkes.
“Futbolli është puna ime, por më parë është një shkollë jete. Sepse ky sport di të jetë i ashpër dhe ndonjëherë i pamëshirshëm. Të eksopozon, të vë në provë, të rrëzon para të gjithëve. Por nëse gjen forcë për të rezistuar, për të besuar ende, herët a vonë të çon aty ku e meriton të jesh. Unë këtë forcë e pashë nga shumë pranë. Në heshtje, në momente të vështira, në ditët kur dukej se ishte më e lehtë të hiqje dorë. Dhe sot nuk është vetëm një fitore. Është një rilindje, është dashuri për atë që bën. Është kurajo. Krenare për ty. Si grua, si bashkëshorte…dhe gati si nënë për herë të dytë. Përgjithmonë”, shkruante Diletta Leotta në postimin e saj.

