Nëse do të ishte ende në këtë botë, Ergi Dini do të festonte sot 26-vjetorin e lindjes. Këngëtari i njohur ndërroi jetë në vitin 2016, pas një aksidenti tragjik me motor.


Ai ishte shumë i lidhur me motrën e tij, këngëtaren Barbana, e cila sot nuk ka harruar që t’i bëjë një dedikim të ndjerë të vëllait, që emocionoi të gjithë. Ajo ka publikuar një foto të Ergit Në “Instagram”, ku krahas saj ka shkruar edhe disa fjalë shumë prekëse.



“Sot është dita jote e lindjes! Sa dhimbje e madhe është të kesh shumë gjëra për të thënë dhe të mos kesh mundësinë t’i thuash, sepse asnjë fjalë nuk ka më vlerë dhe nuk ndryshon asgjë… Sa dhimbje të jetosh pa ty, sa dhimbje të mos kesh prezencën tënde për t’i dhënë kuptimin që kishte jeta me ty… Sa gjëra do të doja të t’i thosha”, ka shkruar Barbana.



Kujtojmë se si sot një vit më parë këngëtarja përmbushi amanetin e vëllait të saj, duke bërë publike një këngë që ai e kishte lënë përgjysmë. Kënga me titull “Ku je” erdhi si një homazh për artistin, i cili e kishte punuar vetë një pjesë të tekstit para se të ndërronte jetë.