Ish-konkurrentja e “Për’puthen +40”, Stela Nikolla, ka qenë dje e ftuar në emisionin “Ftesë në 5”, ku ka rrëfyer se është diagnostikuar me kancer gjiri.
Gjatë bisedës me Bieta Sulon, Stela tregoi se si e mësoi për sëmundjen e rëndë. Ajo tha se nuk ishte një vizitë rutinë, por një vizitë e mirëfilltë.
“Një mikesha ime e ngushtë u diagnostikua me kancerin e gjirit dhe duke qenë se kemi patur pothuajse të njëjtat parametra. Kur më jep lajmin se ka tumor në gji, thashë edhe unë e kam kistin por më thonë mbaje nën kontroll. Shkova bëra një kontroll të mirëfilltë, bëra një eko dhe më thanë ‘dyshohet’. Insistova të bëja një rezonancë dhe më pas një biopsi. Nuk jam te fazat e para, as të fundit, diku në mes. Analizat e tjera më dolën mirë”, tha Stela.
Nikolla shtoi se e di se ‘do jetë e vështirë, por jeta është e shtrenjtë’. Ajo iu bëri thirrje të gjitha grave që të shkojnë e të kontrollohen, të mos kenë frikë nga rezultati.
“Ka patur raste kur gratë kanë patur tumorin në gradë të 4 apo të fundit dhe prapë ia kanë dalë. Vështirësia është shumë e madhe, unë e quaj do futem gati në ‘fazën e ferrit’, por ama jeta është e shtrenjtë. Duhet të luftojmë për njerëzit tanë, për veten tonë. Kjo sëmundje ka arritur në stadet që shërohet”, tha Stela.
Kjo e fundit tregoi pastaj se si i tha vajzës së saj për sëmundjen.
“Vajzës ja kam thënë që në fillim fare. Kur më doli nga rezonanca që dyshohet për një tumor malinj dhe duhej të bëja një biopsi, më kapi pak ajo plogështia.
Mora makinën, bëra një udhëtim, qaja dhe qeshja me veten time. Nuk dija çfarë të thoja. Pastaj thashë, me vajzën flasim për çdo lloj gjëje, të bukur ose të mërzitur. Unë jam një shembull që duhet t’i jap asaj si duhet të përballemi në jetë, me vështirësitë dhe gjërat e bukura. Kur u ktheva nga udhëtimi, e mora nga shkolla dhe shkuam në shtëpi. I thashë se do bëja një operacion, unë nuk dua që të mërzitesh. Ajo më tha ‘unë nuk dua që të mërzitesh ti se unë e di çfarë mami kam. Nëse unë gjej një fjalë për ty, ti je ‘wonder woman’”, tregoi Stela.