Fansa të këngëtarit të njohur, Luiz Ejlli, banor i Big Brother Albania Vip, janë mbledhur në ambientet e jashtme të shtëpisë më të famshme në Shqipëri në mbështetje të konkurrentit të tyre të preferuar të shtunë në orën 13:00. Ndonëse duket e pabesueshme organizimi i tyre ka ardhur pas një thirrje në rrjetet sociale.

Fillimisht thirrja u pa si lojë por protestuesit nën thirrjet ” O Luiz o Kampion e gjithë Shqipëria ty të do” u shfaqën pranë ambienteve të Top Channel duke hedhur fishekzjarre.

Ndërkohë që shqiptaret nuk protestuan për rritjen e çmimeve apo kauza të tjera të tjera sociale siç është dhuna e fëmijëve,  braktisja e vendit nga të rinjtë, organizohen me dhjetëra në mbështetje të një konkurrenti brenda një programi televiziv.

Kjo protestë u diskutua ditën e sotme në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, ku në panel ishin disa të ftuar.

Gazetari i njohur, Milaim Zeka, u shpreh:

“Lajmi i mirë është se në si shqiptarë mund të hymë në librin Guinness, se nuk ndodh askund në botë që të bëhet protestë për një banor të ‘Big Brother VIP”. Unë nuk kam dëgjuar për një fenomen të tillë”.

Nga ana tjetër, Malvina Duraku, menaxhere marketingu tha:

“Big Brother-i i vërtetë jemi ne jashtë, jo ato brenda. Mbrëmë dëgjova një kronikë se shumë shkolla po rrezikojnë të mbyllen, njerëzit po ikin. Nuk dalin të ngrihen për këtë për të protestuar, por për një banor. Në fund ata do e marrin një çmim, ne çfarë marrim?”.

Në studio ishte e ftuar edhe Elma Dorasi, regjisore, e cila tha:

“Mora makinën dhe erdha këtu në Top Channel parë nëse ishte meme apo e vërtetë. Jam shokuar, kam qeshur, një lëmsh ndjenjash. Për çfarë po protestojnë? E kuptoj shumë mirë nëse e bëjnë për rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe karburantit.

Po për Luizin, me gjithë respektin që mund të kemi për të. Por ende nuk ia kam dhënë përgjigjen pyetjes. Pa dashur të fyej askënd. Nuk ka të bëjë me Luizin jashtë, që e kemi ndjekur. Sot ai është një lojtar, dikush zgjedh të gënjejë si bëri Luizi dhe më ka prekur.  Ne gënjehemi shpesh, është fenomen. Në këtë lojë ishte një gënjeshtër shumë e rëndë”.