Reperi amerikan Sean “Diddy” Combs pritet të dalë nga burgu më herët nga sa ishte parashikuar, pavarësisht raportimeve se së fundmi u përfshi në një konflikt fizik me një tjetër të burgosur në institucionin ku po vuan dënimin.
56-vjeçari u shpall i pafajshëm korrikun e kaluar për akuzat më të rënda, mes tyre trafikim i qenieve njerëzore dhe reketim, por u dënua për organizim të prostitucionit. Sipas të dhënave më të fundit të Byrosë Federale të Burgjeve, data e re e lirimit është caktuar më 24 janar 2028.
Afati i lirimit ka ndryshuar disa herë gjatë muajve të fundit. Fillimisht ishte planifikuar për 8 maj 2028, më pas u shty për 4 qershor të po atij viti pas pretendimeve se kishte konsumuar alkool në burg dhe kishte kryer një telefonatë të paautorizuar. Avokati i reperit i mohoi këto pretendime.
Më vonë, falë përfitimeve të parashikuara nga ligji amerikan FIRST STEP Act, data e lirimit u afrua fillimisht në 25 prill 2028, më pas në 15 prill, ndërsa muajin e kaluar u ndryshua në 23 shkurt 2028. Sipas regjistrave më të fundit, Combs pritet të lirohet edhe më herët, më 24 janar 2028.
Autoritetet federale nuk kanë dhënë detaje mbi arsyet e këtij ndryshimi.
“Për arsye sigurie dhe privatësie, nuk komentojmë kushtet e vuajtjes së dënimit, planet e lirimit apo arsyet e ndryshimit të dative”, deklaroi Byroja Federale e Burgjeve për “Daily Mail”.
Lajmi për lirimin e parakohshëm vjen vetëm pak ditë pasi mediat raportuan se Combs ishte përfshirë në një përleshje me një tjetër të burgosur në burgun federal Fort Dix, në New Jersey.
Sipas TMZ, duke cituar burime të paidentifikuara, konflikti nisi pas një shkëmbimi ofendimesh verbale dhe më pas degradoi në dhunë fizike, derisa ndërhynë efektivët e burgut.
Raportimet pretendojnë se pas incidentit reperi u vendos përkohësisht në izolim, megjithatë zyrtarët e burgut nuk kanë konfirmuar nëse ngjarja ka ndodhur.
“Nuk bëjmë publike informacione mbi vendosjen e të burgosurve dhe nuk komentojmë nëse ndonjëri prej tyre është subjekt i masave disiplinore apo hetimeve”, deklaroi një zëdhënës i institucionit për “Daily Mail”.



