Mungesa e një prindi është e vështirë në çdo rrethanë, por për Mick Schumacher, ajo shoqërohet edhe me pamundësinë për të ndarë me të atin pasionin që i bashkon: automobilizmin. Djali i legjendës së Formula 1, Michael Schumacher, ka ndarë një nga rrëfimet e tij më personale, duke treguar se sa shumë do të dëshironte të bisedonte me të atin për rrugëtimin e tij si pilot. Në dokumentarin e Netflix-it, “Schumacher”, Mick ka folur për lidhjen e veçantë që ka me të atin dhe për bisedat që do të donte të kishin sot, tashmë që edhe ai ka përjetuar nga afër botën e garave profesioniste.
“Unë dhe babai kuptohemi në një mënyrë të veçantë, sepse flasim të njëjtën gjuhë. gjuhën e automobilizmit”, ka treguar ai. Michael Schumacher, shtatë herë kampion bote në Formula 1, pësoi një aksident të rëndë gjatë skijimit në Méribel të Francës, në dhjetor të vitit 2013. Që prej asaj kohe, familja ka ruajtur një privatësi të rreptë lidhur me gjendjen e tij shëndetësore. Në momentin e aksidentit, Mick ishte vetëm 14 vjeç.
Sot, pasi ka ndjekur të njëjtën rrugë profesionale si babai i tij, Mick ndien edhe më shumë mungesën e mundësisë për të ndarë me të përvojat, sfidat dhe emocionet që sjell jeta në pistë. “Besoj se unë dhe babai do ta kuptonim njëri-tjetrin ndryshe tani, pikërisht sepse flasim të njëjtën gjuhë, gjuhën e automobilizmit. Do të kishim aq shumë gjëra për të diskutuar. Për këtë mendoj më së shumti. Do të hiqja dorë nga gjithçka vetëm që ta kisha këtë mundësi”, është shprehur ai. Përtej garave dhe suksesit profesional, Mick ka folur edhe për momentet e zakonshme familjare që nuk mundi t’i përjetonte më me të atin pas aksidentit. Janë pikërisht këto çaste, që për shumë njerëz janë pjesë e përditshmërisë, ato që ai ndien se i mungojnë më shumë.
“Pas aksidentit, ato momente nuk ekzistojnë më, ato çaste që shumë njerëz të tjerë i ndajnë me prindërit e tyre. Mendoj se kjo është disi e padrejtë”, ka rrëfyer piloti. Megjithatë, kujtimet e fëmijërisë mbeten një burim i çmuar lumturie për të. Mick kujton kohën e kaluar me Michaelin, nënën e tij Corinna dhe motrën Gina-Maria, kur familja shijonte aktivitete të thjeshta larg vëmendjes publike.
“Kur mendoj për të kaluarën, më kujtohen kryesisht ne të katërt duke u argëtuar së bashku. Më kujtohet kur ngisnim kartingë nëpër fshat, kur kalëronim poni dhe kalonim kohë së bashku. Këto janë kujtime që më bëjnë të lumtur”, ka treguar ai. Familja Schumacher ka zgjedhur gjithmonë të mbajë larg publikut jetën private të Michaelit. Në dokumentar, bashkëshortja e tij, Corinna, ka shpjeguar se ruajtja e privatësisë ishte e rëndësishme për kampionin edhe përpara aksidentit.
Ashtu si Michael, edhe Mick vendosi të ndiqte pasionin për automobilizmin. Ai u shpall kampion i Formula 3 në vitin 2018 dhe fitoi titullin e Formula 2 në vitin 2020, rezultate që i hapën rrugën drejt kategorisë më të lartë të garave, Formula 1, ku garoi për ekipin Haas. Gjatë gjithë karrierës, mbi të ka rënduar shpesh krahasimi me një prej pilotëve më të suksesshëm në histori. Megjithatë, Mick ka bërë të qartë se dëshiron të krijojë identitetin e tij profesional, pa mohuar trashëgiminë e jashtëzakonshme të të atit.
“Unë mund të ndërtoj trashëgiminë time, duke admiruar njëkohësisht gjithçka që ka arritur babai im”, ka deklaruar ai. Për Mick, suksesi nuk e zbeh dëshirën për të pasur pranë Michaelin dhe për të ndarë me të përvojat që i ka sjellë karriera. Përkundrazi, sa më shumë njeh botën e automobilizmit, aq më shumë e kupton se sa shumë do të donte të kishte mundësinë të bisedonte me njeriun që e frymëzoi të ndiqte këtë rrugë.



