Jennifer Lawrence ka ndarë së fundmi shqetësimet e saj për filmin e ri që luan përkrah aktorit Robert Pattinson. Dy yjet e njohur, nga “The Hunger Games” dhe “Twilight”, bashkohen për herë të parë në projektin “Die My Love”, një thriller dramatik që ndjek historinë e një nëne (Lawrence) e cila përjeton një episod psikoze pas lindjes së fëmijës së saj. Roli i bashkëshortit interpretohet nga Pattinson, i cili përpiqet të përballet me krizën e familjes së tyre dhe tensionet që pasojnë.
Gjatë xhirimeve, Lawrence ishte shtatzënë me fëmijën e saj të dytë, dhe më herët kishte treguar se skenat nudo nuk e kishin shqetësuar aspak. Por në intervistën e 5 nëntorit në “The Tonight Show Starring Jimmy Fallon”, aktorja 35-vjeçare zbuloi një tjetër shqetësim – frikën se mos zhgënjen fansat.
Ajo pranoi se filmi do të jetë shumë ndryshe nga rolet që publiku është mësuar ta shohë në projekte si “The Hunger Games” apo “Twilight”. Në rrjete sociale, shumë fansa kanë bërë shaka se filmi duket sikur është një “fan fiction” që bashkon Katniss Everdeen dhe Edward Cullen.
“Interneti po çmendet nga ideja që Katniss dhe Edward janë në një film bashkë,” i tha Fallon.
Lawrence u përgjigj me humor:
“Po, jam shumë e shqetësuar se njerëzit do të vrapojnë në kinema duke menduar se është një fanfic mes Katniss dhe Edward, por nuk është ashtu. Filmi është shumë artistik dhe poetik, një vepër unike. Është i mrekullueshëm, por nëse presin fanfic, do të zhgënjehen. Kam frikë se do dalë filmi dhe njerëzit do mërziten me mua!”
Aktorja ka qenë gjithashtu në qendër të vëmendjes pasi tregoi se nuk kishte përdorur një koordinator për skenat intime gjatë xhirimeve të skenave erotike me Pattinson.
“Nuk kishim një koordinator për skenat erotike, ose ndoshta kishim, por nuk u përfshi vërtet. Unë u ndjeva shumë e sigurt me Rob. Ai nuk është aspak i çuditshëm dhe është shumë i dashuruar me partneren e tij, Suki Waterhouse. Gjatë xhirimeve flisnim kryesisht për fëmijët dhe marrëdhëniet,” shpjegoi ajo në një podcast.
Lawrence shtoi se “nëse do kishte ndonjë situatë të sikletshme, sigurisht që do të doja një koordinator”, duke theksuar se “ka shumë aktorë meshkuj që ofendohen nëse nuk ke interes romantik për ta”.
Deklaratat e saj ngjallën reagime në internet, pasi shumë njerëz theksuan se qëllimi i koordinatorëve të intimitetit nuk ka të bëjë me tërheqjen mes aktorëve, por me krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të barabartë për të gjithë në set.
